Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se fillimisht është Policia e Kosovës ajo që përgjigjet për sigurinë e vendit, pasitaj vijnë EULEX-i dhe KFOR-i.

Komentet Kurti i bëri për një media të huaj pas propozimit të kryeministrit Edi Rama që KFOR të marrë kontrollin e veriut të Kosovës.

“Ne kemi nevojë për patrulla të përbashkëta nga policia jonë dhe KFOR-i në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, sa i përket gjërave të tjera, kjo tashmë është e përcaktuar. Kudo në Kosovë, e para që përgjigjet është policia jonë, pastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe nuk mendoj se kjo formulë duhet të ndryshojë”, ka thënë Kurti.

Kujtojmë se më herët Rama tha se KFOR duhet të marrë sa më parë në kontroll veriun e Kosovës, pasi sipas tij, kjo do të parandalonte përkeqësimin e situatës dhe viktimat e tjera.

“Për të parandaluar me çdo mjet këtë konflikt, KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia. Këtu s’ka rëndësi se kush e kërkon, këtë e kërkon situata. Po të ishte bërë më parë, kjo nuk do të kishte ndodhur. Pak vonë sipas meje, por më mirë pak vonë se sa shumë vonë”, shtoi Rama.

Kujtojmë po ashtu se edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, bëri thirrje për tërheqjen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

Presidenti serb këtë thirrje e bëri gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Rasmussen, ku tha se duhet të jetë KFOR që të marrë në dorë sigurinë e Veriut.

“E përsërita kërkesën që sigurinë në veri të Kosovës ta marrin në dorë pjesëtarët e KFOR-it, i cili ka kapacitete për të parandaluar veprimet e dhunshme të Prishtinës”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re