Ura e Zogut mbi Mat do t’i nënshtrohet ndërhyrjes emergjente. Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se është gati të nisë puna për të rilindur monumentin e kulturës, Urën e Zogut mbi lumin Mat.

“Tashmë projekti i hartuar nga një grup ndërinstitucional ka marrë dritën jeshile nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale për ndërhyrjen në këtë objekt”, shkruan kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Projekti teknik i zbatimit për ndërhyrjen emergjente në objektin-monument kulture, Ura e Matit, është rezultat i një pune profesorësh e ekspertësh të nderuar të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Universitetin Politeknik dhe Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, që me urdhrin e Kryeministrit, u bënë bashkë për hartimin e projektit, brenda një kohe të shkurtër, në kuadër të Paktit për Universitetin.

Ura e Matit është inauguruar më 26 maj, të vitit 1927 dhe është projektuar nga inxhinieri zviceran, Erwin Schnitter. Ura është e ndërtuar me gjashtë harqe, secili nga 54 metra i gjatë. E ndërtuar me çimento dhe hekur në një sistem nga më modernit për ndërtime urash (për atë kohë), edhe sot e kësaj kohe, nuk e ka humbur bukurinë dhe vlerën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re