Rruga e re Bulqizë-Librazhd, aksi Ura e Çerenecit – Zgosht, rreth 47 km e gjatë, ka përfunduar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale pamjet e këtij segmenti, ndërsa u shpreh se “me rrugën e re Bulqizë–Librazhd, aksi Ura e Çerenecit–Zgosht, që jo vetëm lidh Dibrën me Elbasanin, por krijon një korridor të ri lindor duke sjellë më afër bukuritë natyrore dhe pasuritë e turizmit malor, nxit ekonominë rurale dhe i jep jetë sipërmarrjeve të reja bujqësore e turistike”.
Kjo ndërhyrje pritet të sjellë një ndikim direkt pozitiv në zhvillimin ekonomik, bujqësor e turistik duke përmirësuar mundësinë e hyrje-daljeve për komunitetin, fermerët dhe ndërmarrje të tjera ekonomike, për turistë drejt destinacioneve në Shqipërinë lindore, duke përfshirë zona të reja turistike si Parku Shebenik-Jabllanicë në Librazhd dhe zonat kulturore, natyrore e historike në qarkun e Dibrës.
Me planin për hapjen e një pike kufitare të re në Urën e Bushtricës, pjesë e Korridorit 8, për ndërtimin e të cilës po punojnë si Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut, do t’u krijohet mundësi banorëve të këtyre, zonave që kalojnë në segmentin Zgosht-Ura e Çerenecit, të lëvizin më shpejt.
