Kryeministri Edi Rama sërish i është adresuar me një thirrje shqiptarëve që jetojnë në Greqi që zarfat me fletën e votimit ta kthejnë në postë, më qëllim që të dërgohet në Shqipëri.
Kreu i qeverisë thotë se posta ka shpërndarë mbi 85 % të zarfeve dhe tashmë është radha e qytetarëve që të bëjnë punën e tyre.
Kryeministri i kujton emigrantëve që jetojn në ishuj që kanë edhe 24 orë kohë, sepse ndryshe nuk arrihet dot transporti i zarfeve nga ishujt në afatin e caktuar.
“Përshëndetje edhe njëherë këtu. Mbarova në Devoll, tani po shkojmë në Pogradec dhe ndërkohë pashë në informacionin e fundit se DHL ka shpërndarë mbi 85% të zarfeve, por tani është radha juaj, është radha juaj shqiptarë të Greqisë të regjistruar për 11 majin, që ato zarfa t’i ktheni për t’i dërguar në Shqipëri.
Ju lutem, mos e lini për në momentin e fundit. Ju lutem atyre që janë në ishuj, këto janë 24 orët e fundit për ta sepse ndryshe nuk arrihet dot transporti i zarfeve nga ishujt në afatin e caktuar. Ju lutem atyre që janë në Athinë, Selanik dhe në gjithë Greqinë në gadishull, pra që nuk janë në ishuj të bëjnë të njëjtën gjë.
Ju lutem sepse ky është një takim me historinë dhe mbi të gjitha kjo votë për ju që jeni në Greqi dhe që jeni të regjistruar është kaq konkrete dhe është kaq e lidhur me diçka shumë konkrete duke filluar nga hapja e një rruge alternative për pensionet tuaja.
Ju lutem, zarfin mbrapsht drejt Tiranës me 5-sën për Shqipërinë me Be-në, në Europë, për Shqipërinë e re europiane, për shpresën europiane dhe amanetin europian të shqiptarëve dhe kurrsesi për një politikan të lashtë, të dëshpëruar, të pashpresë dhe tanimë edhe krejtësisht të përçartur”, thotë Rama.