Ndërsa sallonet e politikës së Tiranës zienin nga dorëheqja e beftë e ministrit Xhafaj, kryeministri Edi Rama u sqaronte të rinjve lushjarë, por dhe grave të këtij qyteti, se si u arrit që të merrej vendimi për mbylljen e lojrave të fatit.

“Vendosëm të mbyllnim kazinotë elektronike dhe bastet, në mënyrë që të mos shkoni nëpër loto dhe të lini atje lekët që prindërit mezi  i nxjerrin. Por a do të mbylleshin kazinotë dhe bastet nëse vota do të kishte prodhuar një shumicë dhe qeveri tjetër? Jo nuk do të mbylleshin, sepse nuk u mbyllën kur vota prodhoi një shumicë tjetër qeverisëse”, theksoi Rama, në ndalesën e tij në kuadër të fushatës për anëtarësime të reja në PS.

Rama rrëzoi dhe pretendimet e opozitës se pikat e basteve u shumuan nën qeverisjen e tij, duke thënë se ato u formalizuan e nuk u shtuan.

Nga ana tjetër, Rama përçoi dhe një mesazh brenda partiak, pasi i dha teserën e partisë një të riu.

“Tani nuk je më e lirë se brenda në parti nuk i bën dot të gjitha. Se ka ca që thonë jam i lirë, jam i lirë. Je i lirë, po nuk i gjuan dot me gurë shtëpisë ku rrimë të gjjthë. Po gjuajte, ik dil nga shtëpia!”, theksoi kreu i mazhorancës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re