Kryeministri i Shqipërisë, Edi, Rama, ka theksuar se dëshirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE) dhe po punojnë që të zbatojnë rregullat evropiane.

Rama gjatë fjalës në Forumin “Europa Park” në Gjermani u fokusua në çështjet e integrimit evropian, mundësive për investime në Shqipëri dhe për aspektet e bashkëpunimit rajonal.

“Ne jemi mjaft mirë të pozicionuar sa u takon burimeve natyrore. Jemi i vetmi vend në rajon që furnizohet plotësisht me energji të pastër, duke qenë se energjia jonë bazohet tek burimet hidrike”, tha Kryeministri Rama.

Rama theksoi më tej se “Jemi një vend mjaft i mirë për të gjithë ata që duan të zhvillojnë prodhimin për shkak të kostos së punës e cila është mjaft konkurruese. Jemi të bindur që ne ofrojmë një mjedis të mirë për kompanitë që duan të jenë të pranishme me linjën e tyre të prodhimit për shkak të kostos së punës, për shkak të krahut të ri të punës, për shkak se njerëzit janë mjaft të aftë edhe në gjuhë të huaja”.

Duke folur për bashkëpunimin rajonal ai theksoi se në raport me rajonin ka pasur një ndryshim të madh. “Në ndryshimin e qasjes sonë ndaj Serbisë, sot marrëdhëniet janë shumë të mira dhe e përsëris që në thelb është prej kuadrit që ka vendosur Kancelarja në raport me bashkëpunimin rajonal”, u shpreh Rama.

Duke folur për procesin e integrimit evropian, kryeministri i Shqipërisë tha se “Sa i takon zgjerimit, e kuptoj që është mjaft e vështirë të marrësh vendime të mëdha ndërkohë që iu vë veshin kritikëve. Mendoj që negociatat janë gjëja më e rëndësishme për vendet tona sepse negociatat përbëjnë udhërrëfyesin dhe mjetet për të bërë vendet tona shtete të besueshme demokratike. T’i privosh vendet nga ky instrument është e pakuptimtë dhe t’u japësh vendeve këtë instrument është t’i ndihmosh ata”.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që nga viti 2014 dhe është në pritje të fillimit të negociatave të anëtarësimit. (AA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re