Aktivisti dhe pedagogu i njohur Ervin Goci, ka folur për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme kur kryeministri Edi Rama shty gazetaren e Fax News Edona Haklaj.

Goci i ftuar në Fax News u shpreh se sjellja e kryeministrit nuk kishte lidhje me pandeminë, por me personin. Pedagogu shpjegoi se në Shqipëri shihet qartazi një shkelje e masave nga qeveritarët dhe për këtë nuk është bërë asnjë gjë. Ndërsa dënoi aktin e kryeministrit, Goci shtoi se vetë Rama nuk e kishte në rregull maskën, pasi i qëndronte varur dhe kjo skishte lidhe me parametrat.

Ndërkohë jo më larg se ditën e sotme në qytetin e Elbasanit, kryeministri u shfaq me ministren Kushi pa maskë mbrojtëse duke qëndruar mes qindra qytetarëve.

Ervin Goci:

“Në reagimin tim kam përdorur një gjuhë disi të ashpër, por kam menduar këtë gjënë që mua më duket se po bëhet rrugë që politikanë, njerëz të ligjit, gazetarët që janë me një ndjeshmëri shumë të lartë, u është bërë e udhës që të cënohen, të kërcënohen, ti flitet me një gjuhë të tillë, të preken me dorë dhe me të thënë të drejtën mua kjo gjë më revolton. 

Kur mendoj që mund të kapet një gazetare prej dore dhe ti thuhet ik të flakesh atje në një mënyrë përçmuese, me të thënë të drejtën më tronditi duke e njoh shumë mirë edhe gazetaren e cila është studente e Departamentit të Gazetarisë dhe unë kam një njohje direkte me Edonën dhe e di shumë mirë që nuk bën vaki që Edona të jetë nga ato gazetaret e improvizuara që del në punën e saj pa respektuar disa norma. 

Gjëja e dytë që mua më erdhi në mendje në lidhje me ktë ishte: Ore dakord, më thoni një protokoll, një normativë që respektohet 100% në këtë Republikë që ka lidhje me pandeminë. Mua më duket se pandemia është fshirë me qëllim sepse shoh që nga të dyja krahët politike, por sidomos nga pushteti që njerëzit ti ketë në terren të angazhuar dhe pushteti si gjithmonë kupton që e vetmja formë për tu afruar, për të bërë atë presionin ndaj publikut është të hyjë në kontakt direkt me atë duke mos pyet fare. 

Këtu nuk ka një administrim normativ, nuk është se ne e shohim këtë gjë dhe të themi që shfaqja e Edonës atje ishte një mëkat, jo më larg se sot kryeministri doli sot atje garumbull atje doli pa maskë bashkë me ministren. Kjo është qartësisht se ka të bëjë me personin dhe nuk ka lidhje me shqetësimin e kryeministrit me pandeminë. Pandemia është totalisht e pa menaxhuar dhe nuk ka asnjë shenjë që pushtetarët të kenë marrë masa të rrepta ti respektojnë, shohim thjesht një lojë një cinizëm, një dyfytyrësi. 

Është shumë ofenduese për interesin publik, kur pushteti nuk respekton asnjë norme, madje është bërë fushatë nga vetë Rama që tallej për maskat, tani i intereson shumë detajet. Madje as maska e kryeministrit nuk ishte në rregull, i qëndronte varur, skishte fare lidhje me parametrat. Pra ai ishte ai një rrezik për gazetarët. Për mua gazetarja ishte shumë në rregull, por gjesti i kryeministrit ishte i patolerueshëm. Në atë moment edhe kolegët gazetarët duhet të reagonin.

 Nëse qënka kaq problem këto intervista dhe ai duhet të flasë që të zgjedh një protokoll për intervistat. Ka shumë intervista që janë bërë edhe në videkonferencë, megjithëse edhe atje ka pasur situata të tilla. Pra edhe sporti i kryeministrit zhvillohet edhe virtualisht. Pra nuk është se ndryshon nai gjë me komunikimin  në rrugë, përveç se komunikimi në rrugë mund të ketë ato rreziqet e veta që kryeministri ka frikë. “

(R.G/faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re