Kryeministri Edi Rama ka kërkuar votat e qytetarëve shkodranë duke u shprehur se i kanë borxhe këtij qyteti, të cilat do t’i shlyejnë nëse marrin mbështetje.

“Nuk dua të shfajësohem, se ne kemi borxhe ndaj Shkodrës, e cila është pjesë e pandashme e gravitetit të historisë sonë, kulturës e traditës sonë. Shkodra është një potencial i jashtëzakonshëm.

Nuk kanë më shumë se Shkodra ato qytete që sot janë në proces të pakthyeshëm transformimi, madje ka më shumë Shkodra.

Unë jam këtu sot për t’iu thënë shkodranëve se nëse duan të na japin mundësinë të shlyejmë borxhet tona, të na japin mbështetje.”, deklaroi Rama.

Po ashtu, kreu i qeverisë hodhi akuza edhe ndaj Bashkisë Shkodër duke thënë se ka bllokuar projektet dhe nuk ka bërë asnjë investim.

“Për të mbështetur Shkodrën ne i kemi ardhur vërdallë kufijve të vendosur nga një Bashki qorre, që është shembulli më drithërues i injorancës, prapambetjes, inercisë, duke shkuar qorrazi drejt të ardhmes.

I kemi ardhur rrotull dhe kemi ndërtuar rrugën Shkodër-Velipojë, një rrugë turistike që ishte një premtim dembabadem i të gjitha herëve që PD ka ardhur këtu për të marrë votën dhe që nuk u ndërtua kurrë. E ndërtuam ne, duke i ardhur rrotull se nuk merrnim dot leje në bashki.

Nuk i prishet fare terezia asaj kryetares së Bashkisë se çfarë ndodh me plehrat. Shkodra është qyteti më i pistë i Shkodrës, ku nuk mblidhen plehrat.

Është qyteti me më shumë gropa në vend. Këtu është qytet që ka mbetur ora. Por, punët e veta edhe kryetarja e bashkisë, edhe ata të shpurës së PD, që venë e vinë sa këtu sa në Tiranë për të bërë deputetin e Shkodrës, i kanë në terezi. Lufta që bëjnë sot është prapë për punët e tyre, jo për punët e Shkodrës apo të Shqipërisë”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re