Skip to content

Rama takim me ish-punonjës të Policisë/ Kryeministri “thumbon” opozitën: Thonë se do bëjnë pensionet 1 mijë euro! Shesin qilima fluturues si të Sudes dhe..

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Kryeministri me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës, për të vlerësuar kontributet e tyre gjatë misioneve në shërbim të vendit.

Gjatë fjalës së tij Rama ironizoi opozitën, e cila u ka premtuar atyre pensione nga 500 deri në 1 mijë euro.

Rama tha se pretendimet te opozitës janë të pa baza.

“Policia e shtetit ishte e tradhtuar nga vetë shteti. Tani ata që vuajnë këtë pasojë dhe që janë viktima të gjalla të politikës qorre, të atyre që sot e gjithë ditën thonë se do i bëjnë pensionet 500, 1000 euro, shesin qilima fluturues si qilimat e Sudes dhe të Rrapushit dhe këtu është dallimi se në fund të ditës pensionistët që nga 2014 dhe sot me reformën e bërë janë trajtuar si të nënës. Përpara janë trajtuar si të njerkës”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e kryeministrit: Ndërkohë e veçuam këtë takim me ju sepse ju jeni një kategori e shërbëtorëve të këtij shteti që meritoni një vlerësim të veçantë, një begenisje të veçantë jo se të tjerët nuk e meritojnë, por gjithsesi nuk ka një kategori tjetër të shërbëtorëve të shtetit që të numërojë brenda radhëve të veta, njerëz që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, siç është rasti i Policisë së Shtetit dhe për hir të vërtetës kur numëron sot 227 dëshmorë në uniformat blu, gatit-gati nuk të besohet që ky është një numër që korrespondon me periudhën e demokracisë.

 Gati-gati nuk të besohet që në këtë vend jo më shumë se shumë vite më parë, por deri pak më shumë se 1 dekadë më parë trupat e policisë, oficerët e policisë, drejtuesit e humbin jetën gati, gati si diçka që ishte pjesë e punës dhe unë nuk e harroj dot kohën, kur asokohe në opozitë ne shkonim herë pas herë tek shtëpia e SHQUP-it, tek godina e ish-Shtëpisë së Ushtarakëve për të bërë homazhe dhe aty mblidheshin drejtuesit e policisë, aty mblidheshin kolegë e shokë të atyre që kishin rënë në krye të detyrës dhe kjo e bën edhe më të madhe detyrën tonë për të qenë mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithëve ju dhe ndaj të gjithë gjeneratës suaj që jo vetëm shërbyen, por shërbyen në kushte shumë të vështira. Shërbyen në kushte ku nuk është aspak e ekzagjeruar të thuash që Policia e Shtetit ishte e tradhtuar nga vetë shteti.

Tani ata që vuajnë këtë pasojë dhe që janë viktimat e gjalla të politikës qorre dhe të papërgjegjshmërisë së atyre që sot e gjithë ditën iu thonë ne do t’ua bëjmë pensionet 500 euro, ne do t’ua bëjmë pensionet 1000 euro, shesin qylyma fluturës si qylymat e Sudes edhe të Rrapushit dhe faktikisht këtu është edhe dallimi, se në fund të ditës pensionistët qysh nga viti 2014 dhe sot me reformën e bërë dhe me ndryshimin komplet të qasjes, janë trajtuar si të nënës, ndërkohë që më përpara janë trajtuar si të njerkës, ky është dallimi, shumë i dhimbshëm, po shumë i vërtetë që lexohet në të gjitha shifrat, mjafton të shikosh kolonat, të njëjtat kategori, të njëjtat vite pune para dhe pas 2014 pensioni me diferencë ndryshe dhe e përsëris, çdo pagë që rritet është një lajm i mirë për sa i përket fondit të pensioneve sepse rritet fondi i pensioneve.

Ju e shikoni vetë, e ndiqni vetë. Jam i bindur që e ndiqni nga afër trupën e Policisë së Shtetit,  sepse Policia e shtetit është si një skuadër. Është si një skuadër që edhe kur ke ndaluar së luajturi, prapë je i lidhur me të.

“”