Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takimin e fundvitit me përfaqësuesit e diplomatikë që ndodhen në Shqipëri, ku shprehu mirënjohje ndaj tyre.

“Jemi mbledhur sonte këtu në këtë mbrëmje tradicionale, pas një tjetër viti të mbushur me sfida të reja, pasiguri, po edhe mundësi, i cili po mbyllet dhe një viti të ri që po vjen.

Ca miq të mirë të një viti më parë nuk janë sot me ne dhe miqve të rinjve qe i kanë zëvendësuar, dua t’iu uroj ngrohtësisht mirëseardhjen rreth kësaj tryeze familjare. Është një sekret i madh publik që Shqipëria është një vend i shkëlqyer për të huajt dhe veçanërisht, për ambasadorët e mbi të gjitha, për ata amerikanë”, tha Rama.

Ai përmendi dhe luftës në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit, ku tha se shpresonte që paqja të vijë me vitin e ri.

Kreu i qeverisë u ndal dhe te procesi i integrimit në BE të Shqipërisë dhe Ballkanin Perëndimor.

 

“Për fat të keq do të më duhet të sjell këtu dhimbjet e mëdha të përditshme të Gazës, pas llahtarive të 7 tetorit. Është detyra ime dhe sinqerisht, detyra e gjithsecilit, për të mos heshtur për këtë, në çdo rast të mundshëm teksa po ndodh një shkatërrim i përmasave monumentale në sytë e mbarë botës. Pa lëvizur asnjë grimë nga qëndrimi i prerë se nuk ka vend për Hamasin dhe të ngjashmit e tij në botën ku duam të jetojmë, ne shqiptarët, nuk mund ta pranojmë mohimin e përsëritur të së drejtës ulëritëse të popullit palestinez për të pasur vendin e tij të sigurt në këtë botë, të drejtën e tij për t’i lindur e rritur fëmijët në shtetin e tij. E di mjaft mirë se garantimi i një kushti kaq elementar për miliona palestinezë është shumë më i lehtë të thuhet se sa të bëhet, po aq sa është shumë më e lehtë të thuhet se të bëhet, që populli hebre të jetojë në tokën e vetë pa u vënë nga askush në diskutim e drejta e Izraelit për të ekzistuar.

Megjithatë, nuk është fort e vështirë të konstatosh se kaq shumë dhunë dhe shkatërrim nuk mund të jetë zgjidhje afatgjatë si për Izraelin, ashtu edhe për Palestinën. Uroj që Viti i Ri të ngrejë peshë shpirtin e paqes e të pajtimit dhe të dëbojë fantazmat e errëta të shkatërrimit dhe luftës nga Toka e Shenjtë, ku njerëzit e të gjitha besimeve meritojnë të jetojnë në harmoni si bij të të njëjtit Zot.

Uroj po ashtu, që ky Vit i Ri të sjellë dritën e paqes për ukrainasit që kanë vazhduar luftën kundër një agresori të pamëshirshëm dhe do ta kenë gjithherë solidaritetin dhe mbështetjen tonë të palëkundur. Ka qenë sidoqoftë, një vit i mirë për Shqipërinë dhe dua t’ju falënderoj të gjithëve, që keni qenë bashkudhëtarë të mirë në këtë rrugëtim shprese, ambiciesh dhe pune të madhe për ta transformuar këtë vend në Europën e Ballkanit. Nuk mund të jem më krenar se kaq për miqësinë që kemi ushqyer dhe forcuar në këtë rrugë dhe nuk i falënderoj dot mjaftueshëm miqtë tanë të Bashkimit Europian për mbështetjen gjithnjë e më të fortë që po marrim prej tyre. Deri jo shumë kohë më parë ky ndryshim qasjeje i tyre ndaj Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi do të kishte qenë i paimagjinueshëm. Kjo për ne vlen sa bota, por ne nuk e marrim aspak lehtë, po e çmojmë me të gjithë barrën e përgjegjësive që rriten në çdo hap që na afron”, tha Rama.

Ai në fund të fjalimit ngriti dolli për familjet e diplomatëve, për të cilët tha se vuajnë mungesën e tyre për shkak të punës jashtë vendit. Gjithashtu ngriti dolli dhe për familjen e tij dhe bashkëshorten, Lindën.

“Në mbyllje të dollisë për të gjitha familjet tuaja, dua t’i shtoj dollisë edhe familjen time dhe për gjysmën time më të mirë. Ajo sa vjen e bëhet më e mirë, unë sa vij e përkeqësohem, po ja që kështu është. Gëzuar pra, për familjet tuaja, për fëmijët tuaj, për të dashurit tuaj dhe iu uroj atyre, bashkë me ju natyrisht, së pari një Vit të Ri me shëndet, së dyti  një Vit të Ri të gëzuar dhe së treti, një Vit të Ri shumë të suksesshëm”, tha Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re