Kryeministri Edi Rama gjatë takimit përmbyllës në Kamëz, u ka kërkuar qytetarëve votën për kandidatin socialist Rakip Suli, si njeriun e duhur për drejtimin e bashkisë.

 

Rama u bëri apel prindërve, që çdo votë e hedhur për PS, është një votë për ndërtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave.

 

Ndërsa kujtoi kohën kur Kamza ishte në duart e PD, Rama thotë se ata e mbajtën për fyti dhe shton se sulmi kundër tyre e bën më të vështirë mesazhin.

 

“Ajo që gjithnjë më ka shqetësuar thellë kur kam vajtur në Kamëz, në të gjitha vitet qysh se merrem me këtë punë, kur ne gjithnjë e më tepër kemi patur njerëz që na kanë dëgjuar, por jo një shumicë që na ka votuar. Sa herë kam ardhur në Kamëz, ka qenë se Kamza ishte një vend ku s’kishte vend për fëmijët. Ku s’kishte vend për vajzat dhe djemtë, për nxënës dhe nxënëset, sepse s’kishte asnjë infrastrukturë arsimore, sportive, asnjë adresë për nënat që të çonin fëmijët e tyre…

 

Dhe gjithnjë kam menduar që si i bëhet që të arrimë të komunikojmë me atë që s’janë thjesht votues por prindër. Nëna, baballarë, që duhet ta shohin votën e tyre si një investim në radhë të parë për fëmijët e tyre, në kuptimin konkret, jo abstrakt e ardhmja. Por një votë që investohet në drejtimin e duhur, që mund të sjell një çerdhe, kopësht, shkollë. Ka qenë realisht e pamundur sepse barrikadat e ngritura të dasisë politike. Politika e përçarjes dhe urrejtjes. I gjithë sulmi i vazhdueshëm propagandistik kundër nesh. Edhe kundër meje personalisht, duke thënë Rama nuk ju do. E bënin shumë të vështirë kalimin e mesazhit tonë, krijimin e një momenti qetësie ti shikonit gjërat pa tifozllëk, pa ngjyra. Ky moment erdhi. Fati e desh, fati i Kamzës e desh që ata që e mbajtën për fyti peng Kamzën për të gjithë ato vite, të dilnin nga rruga normale demokratike, normale e marrëdhënies me qytetarët në një demokraci e të braktisnin procesin zgjedhor…

 

Dhe në atë moment ndodhi ajo që ishte gjëja që sot na ka dhënë mundësi që përtej të gjithë fjalëve tona, Kamza të flasi si pasqyra dmth e një ndryshimi historik”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re