Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në një vizitë zyrtare në Azerbajxhan, me ftesë të Presidentit të Azerbajxhanit IlhamAliyev, me të cilin zhvilloi një takim kokë më kokë në Pallatin Presidencial, në Baku.

Kryeministri Rama dhe Presidenti i Azerbajxhanit vlerësuan progresin e marrëdhënieve shumë të mira mes vendeve dhe dakordësuan angazhimin e përbashkët për thellimin e tyre në fusha me interes të ndërsjellë.

Në mënyrë të veçantë, energjia dhe turizmi identifikohen si sektorët më potencial ku janë vendosur tashmë piketat për konsolidimin e bashkëpunimit me dobi reciproke.

Në takimin mes tyre, Presidenti i Azerbajxhanit u shpreh ndër të tjera: “Zoti Kryeministër, mirëserdhët në Azerbajxhan!Jam shumë i kënaqur që ju shoh dhe që kemi mundësi të shihemi me njëri-tjetrin, të diskutojmë çështje të rëndësishme në agjendën tonë. Vizita juaj dëshmon dhe një herë nivelin e lartë të dialogut politik mes dy vendeve tona. Ne jemi takuar shumë herë e po kështu kemi komunikuar përmes telefonit dhe po kështu edhe gjatë aktiviteteve ndërkombëtare kemi shfrytëzuar mundësinë për t’u takuar me njëri – tjetrin.

Natyrisht jemi këtu për të zhvilluar takime dypalëshe, për të diskutuar gjithashtu dhe çështje të zhvillimit rajonal të cilat janë në krye të agjendës së Europës e po kështu do të flasim dhe për çështje dypalëshe, ku do të shkëmbejmë informacion e do të flasim për rritjen e qarkullimit tonë tregtar, që është mjaft modest, por ka potencial për t’u rritur. Do ta diskutojmë këtë sot e po kështu do të diskutojmë bashkëpunimin në sektorin e energjisë.

Që prej më shumë se një viti, Azerbajxhani është bërë eksportues i gazit natyror drejt Europës dhe Shqipëria ka qenë mbështetëse e kësaj nisme dhe përfaqësuesit tuaj të nivelit të lartë kanë marrë pjesë gjithmonë në takimet e Këshillit Konsultativ të Korridorit Jugor dhe kanë vijuar të zhvillojnë dhe kanë kontribuuar për zhvillimin këtij projekti. Kështu që jemi në një ekip vendesh, të cilat kanë zbatuar me sukses këtë projekt historik, duke pasur parasysh rëndësinë e korridorit jugor të gazit, sidomos të gazsjellësit TransAdriatik. Unë mendoj që tashmë kjo është më e dukshme se sa më parë.

Ky është një sektor shumë i mirë i bashkëpunimit tonë që ka potencial të madh për t’u rritur. Përfaqësuesit tanë po zhvillojnë takime mbi portofolin më të gjerë të bashkëpunimit tonë në fushën e energjetikes, që përfshin gazin natyror, furnizimet tranzite dhe energjinë elektrike. Është vërtetë një pjesë mjaft e madhe e agjendës tonë dypalëshe. Jam i sigurt që ajo çka është tashmë në proces bisedimesh do të sjellë si rezultat zhvillime të reja. Po kështu, mendoj që ka një shans të mirë për të folur për të tjera fusha të ndërsjella, mundësitë në fushën e turizmit e t’u ofrojmë qytetarëve tanë mundësi të ndryshme turistike dhe përgjithësisht një partneritet më të gjerë për t’i dhënë një nxitje të mëtejshme e për të pasur rezultate më të mira në të ardhmen.Jam shumë i kënaqur që ju shoh dhe ju faleminderit që jeni këtu!

Nga ana e tij, Kryeministri Rama u shpreh: “Faleminderit zoti President! Është kënaqësi e madhe që gjendem këtu dhe pikë së pari, pas një fushate mjaft të madhe e të suksesshme për të rikthyer pjesë të vendit tuaj që për kaq shumë vite gjendej në një situatë që qe shndërruar në diçka të padurueshme, që të gjithë ne e dimë, qoftë në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, dhe tanimë në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurimit. Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë plotësisht mbështetëse e Azerbajxhanit, e të vërtetës dhe të drejtës historike të Azerbajxhanit. Po kështu, së fundmi në radhë, por jo nga rëndësia, ne përgëzojmë shumë përpjekjet tuaja të lavdueshme dhe shembullore për paqe dhe bashkëpunim afatgjatë me fqinjin tuaj, Armeninë.

Në të njëjtën kohë, ne jemi të dy të bekuar të kemi një gur shumë të fortë midis nesh, që është Turqia, dhe unë besoj fort se ne mund të bëjmë më shumë, e ju e përmendët, në fusha të rritjes potenciale të bashkëpunimit tonë dhe sigurisht, pres me shumë padurim që të dëgjoj dhe të shoh perspektivat dhe çfarë kanë arritur ekipet tona, qoftë në sektorin e energjisë ashtu dhe të turizmit. Ashtu siç jua kam thënë disa herë, ne kemi disi të drejtën tonë për të qenë xhelozë për Malin e Zi, sepse aty, ju keni bërë një investim masiv, jo thjeshtë në kuptimin financiar, por edhe modelin që është dhe shpresoj që ju do të bëni të njëjtën gjë.

Ndërkohë, pres me padurim që të mbani fjalën dhe të vini në Shqipëri, tashmë që Covid është zbutur njëfarësoj dhe rruga është hapur. Ndërkohë që prisja që ju të vinit, mendova “Pse jo të mos vija unë”. Siç thuhet “Kur mali nuk shkon dot mali tek Muhammedi, shkon Muhammedi tek mali”.

Faleminderit shumë zoti President për këtë mikpritje të ngrohtë që  e ndjemë qysh hapin e para pasi zbritëm në kryeqytetin tuaj të mrekullueshëm dhe presim me padurim të lajmë borxhin në momentin që ju do të vini në vendin tonë.Faleminderit!” 

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re