Kryeministri Edi Rama këtë të enjtje ka pritur në një takim Komisionerin e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarčič, i cili ndodhet në Shqipëri për të parë nga afër dhe për të ndihmuar për situatën pas tërmetit të 26 nëntorit.

 

Në fjalën e tij komisioneri i BE-së, ka theksuar se prania e tij në Shqipëri është për të treguar solidaritet dhe mbështetje duke premtuar një angazhim të fortë e solid për të bërë gjithçka për të kaluar këtë situatë të vështirë.

 

“Prania ime tregon solidaritet. Synimi është që Shqipëria të mos ndjehet se këtë situatë do e kalojë vetëm. Kemi një angazhim të fortë e solid për të bërë gjithçka që është e mundur në këtë situatë të vështirë”.

 

Nga ana tjetër shefi i qeverisë është shprehur se është e rëndësishme që në të ardhmen të krijohet një strukturë e vetme në Ballkanin Perëndimor që të aktivizohej menjëherë sapo në një nga këto vende të kishte një fatkeqësi natyrore, ashtu sikur funksionojnë vendet e BE-së.

 

“Ne nuk mund të parandalojmë tërmetet, por dëmet më të shumta. Do të ishte fantastike që të bënim, që në mënyrë të natyrshme, që ata ekipe që do të merreshin me fatkeqësitë natyrore në Ballkanin Perëndimor, të shikohej si infrastrukturë e vetme, si ajo në BE që funksionon. Pra të marrim pjesë si të vetëm, mund të jemi më të fortë nëse krijojmë një mekanizëm, që menjëherë sapo të ndodhë dicka në një nga këto vende të shkojnë menjëherë”.

 

Kryeministri Rama gjithashtu ka njohur komisionerin e BE-së me planin që po ndiqet për sistemimin e qytetarëve të prekur nga tërmeti. Ndërkohë komisionari e pyeti Ramën  se kush është shqetësimi më i madh për momentin.”

 

 “Personat që nuk kanë çati mbi kokë, duan një streh, ndërtimi kërkon kohe. Do të duhet nga 12 në 18 muaj kohë. Kemi dy kategori njerëzish në nevojë që janë lënduar. Ata që jetojnë në zona të hapura, dhe ata që jetojnë në zonat urbane dhe rurale. Në zonat urbane kemi gjetur zgjidhje hotelet. Por kjo nuk mund të zgjasë pafundësisht, dhe synimi ynë është që ata të qendrojnë aty deri për festat e fundvitit dhe në janar të kalojnë në apartamente që do merren me qira nga ne. Ndërsa në zonat rurale, njerëzit janë shumë të lidhur me tokën, nuk mund të themi lëre shtëpinë dhe hajde në hotel. kështu që objektivi ynë është që për ta të ketë një cadër dimri. Unë mendoj se duhet të kemi një fond të integruar. Shteti ka përgjegjësi dhe nuk mund të lerë cdo lloj organizate që të shkojë dhe të bëjë punën e saj. Nga buxheti kemi vendosur një fond për rindërtimin. E kemi menduar sikur të mos kishim asgjë nga vendet e tjera”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re