Kryeministri Edi Rama ka takuar homologun e tij britanik, Boris Johnson këtë të hënë. Kreu i qeverisë shqiptare ka publikuar në rrjetin social Instagram një foto nga takimi me kryeministrin Johnson.

“Londër – Me kryeministrin Boris Johnson” – shkruan Rama në postimin e tij.

Vizitën në Londër, Rama e kishte paralajmëruar disa ditë më parë gjatë një konference për mediat.

Teksa po fliste për luftën në Ukrainë dhe pasojat që mund të sjellë ajo në vendin tonë, kreu i qeverisë deklaroi se këtë situatë do e bisedonte edhe me kryeministrin Johnson.

“Kjo është diçka që nuk ka ndodhur në Europë. Futja me ushtri në një shtet tjetër. Në një shtet tjetër sovran, prej shumë vitesh me institucione të zgjedhura. Shpresoj që me kryeministrin britanik do takohem në ditët e ardhshme, sepse do të shkojmë në Londër. Do diskutojmë për këtë megjithëse kemi qenë në kontakt në ditët e mëparshme” – tha disa ditë më parë Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re