Kryeministri Edi Rama këtë të premte është takuar me Presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel. Në fjalën e tij në konferencën e Rama tha se ka diskutuar me kreun e KE për pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit dhe procesin e rindërtimit.
Shefi i qeverisë në fjalën e tij ka theksuar se më 17 shkurt, kur do të mbahet në Bruksel Konferenca e Donatorëve, shqiptarët dhe sidomos ata që humbën banesat nga tërmeti tragjik, do të marrin mesazhin se Evropa është pranë tyre dhe nuk do t’i lërë kurrë vetëm.
Gjithashtu, kreu i qeverisë tha se pjesë e diskutimit kanë qenë edhe reformat e bëra në Shqipëri, dhe ato që duhet të bëhen, në procesin e rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian.
“Dua ta falënderoj Presidentin e KE për ngushëllimet dhe interesim e posaçëm lidhur me situatën e vështirë pas tërmetit të 26 nëntorit, si dhe për angazhimin e tij personal për të ndihmuar që konferenca e donatorëve, e thirrur nga Presidentja e KiE, më 17 shkurt në Bruksel, të jetë një sukses dhe populli shqiptar, e në mënyrë të posaçme afro 15 mijë njerëz që kanë humbu strehën, të marrin mesazhin se Evropa është pranë dhe nuk do të na lërë vetëm në përpjekjen e madhe për rindërtimin. Kemi folur me Presidentin e KE edhe për procesin e reformave dhe ecurinë e procesit të integrimit.Kemi ndarë pikëpamjet lidhur me çka është arritur deri këtu, çka duhet arritur më tutje dhe njëkohësisht edhe me mbi diskutimin e brendshëm ne BE për atë që tanimë njihet si metodologjia e re e zgjerimit dhe në tërësi, më vjen shumë mirë që Presidenti i KE ka shprehur vullnetin për të qenë i angazhuar për rajonin, jo vetëm në funksion të procesit të integrimit, por edhe në funksion të fuqizimit, bashkëpunimit rajonal dhe të një qasjeje të re të Brukselit në raport me zhvillimin ekonomik e social të rajonit“.
Në këtë takim kryeministri Rama ka theksuar se qeveria e tij dhe Shqipëria do të punojnë me të njëjin ritëm për hapjen e negociata pavarsisht vendimit.
“Pavarësisht se cili do të jetë vendimi i radhës për celjen apo shtyrjen e negociatave ne do të bëjmë atë sikur të ishin hapur negociatat, se e bëjmë për veten tonë. Kam ndarë me presidentin edhe ambicien për të hedhur një hap të ri dhe pa humbur kohë në luftën kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së dhe kështu do të vijojmë hap pas hapi, rëndësi ka që në fund të këtij viti Shqipëria të jetë një vend më i mirë.”
