Skip to content

Rama: Të gjithë duhet të kenë marrëdhënie të mira me Turqinë

Kryeministri Edi Rama në Forumin Ekonomik të mbajtur para pak ditëve në Maqedoninë e Veriut tha se Greqia dhe BE duhet të kenë marrëdhënie të mira me Turqinë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Forumin Ekonomik të mbajtur para pak ditëve në Maqedoninë e Veriut, fillimisht foli për vendimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për të mos caktuar datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria si dhe për shumë çështje të tjera rajonale.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama theksoi se “gjendem këtu bashkë me vëllain tim Zoran, pas diçkaje jo të re për mua ndodhur në Bruksel dhe diçka që nuk është e re edhe për Zoranin”.

1- “…Sërish na duhet të presim, por për mua kjo nuk është pritje, është njësoj si përherë ajo që duhet të bëjmë: është të vazhdojmë të ecim, të ecim, jo vetëm të mbështetemi tek ajo çfarë do të thotë Brukseli, por të mbështetemi tek vetja, tek njerëzit tanë, te energjia jonë dhe të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur që t’i shkrijmë misionet në një mision, popujt në një popull, vendet në një zonë ku nuk ka kufij për bashkëpunimin dhe ku katër liritë e Evropës zbatohen. Jemi shumë të vegjël për të jetuar të izoluar nga njëri-tjetri, jemi shumë të vegjël për të kërkuar atë çfarë meritojnë fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Por së bashku ne mund të arrijmë atë që ata kërkojnë, pra hapësirat kufizohen nga kufijtë tanë, nuk janë tërheqëse mjaftueshëm për të synuar një ndryshim transformues si ekonomi. Por së bashku është një zonë tërheqëse dhe na takon ne ta bëjmë të tillë edhe në mënyrë realiste një zonë të cilës mund t’i afrohen të gjithë për të investuar, për të parë zhvillim ekonomik për kompanitë, njerëzit në këtë hapësirë…”.

2- Pyetjes nëse ka diskutime për marrëveshjen e arbitrimit dhe për çështje të tjera dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë, kryeministri Rama tha se: “…Kur bëhet fjalë për çështjen e kufirit detar ne kemi vendosur të shkojmë në gjykatë dhe jemi shumë të lumtur që pala greke e pranoi këtë, ishte alternativa ime e parë që tërë kohës kur jam bërë Kryeministër. Sepse ne jemi ballkanas, jemi mesdhetarë, jemi njerëz pasionantë dhe është e vështirë që të jemi objektivë kur duhet të diskutojmë diçka. Kështu që na duhet një arbitër. Kjo do të ndjekë rrugën e vet”, – tha Rama.

Sa i përket ligjit të luftës, vijoi Rama, ky është një prej paradokseve të mëdha, sepse zyrtarisht ne jemi në luftë me Greqinë.

3- “…Ndaj shpresoj se qeveria greke do ta heqë, ndaj shpresoj se është diçka që kemi mbetur ende mbrapa njerëzve. Nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë së Bashkëpunimit të Sigurisë dhe Fqinjësisë së Mirë në 1996 sigurisht ishte shprehje e realitetit. Jemi në një marrëdhënie ku na duhet të jemi fqinjë shumë të mirë, por na duhet të jemi edhe në luftë me njëri-tjetrin, dashuri tipike ballkanike. Por mendoj se na duhet ta heqim këtë, të mos duam e urrejmë në të njëjtën kohë”, – theksoi Rama.

4- I pyetur për marrëdhëniet e mira me Turqinë, kryeministri Rama tha: “…Të gjithë duhet të keni marrëdhënie të mira me Turqinë dhe mendoj që Greqia duhet të ketë marrëdhënie të mira me Turqinë, BE duhet të ketë marrëdhënie të mira me Turqinë, sepse është absolutisht në të mirë të të dyja palëve. Në të njëjtën kohë të mospasurit e marrëdhënieve mirë me Turqinë nuk është një ide e mirë. Kështu që për ne është shumë e qartë, ne jetojmë në mes të një trekëndëshi vendesh dhe popujsh që na bën ne partnerë strategjikë: Italia, Turqia, Greqia. Ne jemi në rregull me këtë, besoj fort, që edhe Turqia e Greqia kanë shumë për të ndarë dhe kanë për të bërë shumë me dhe për njëri-tjetrin…”, – theksoi ai.

Kryeministri Rama duke folur për mosdakordësinë për caktimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE, tha se ne nuk dështuam, por dështuan ata.

5- “…Ata kanë arsyet e tyre dhe unë e kuptoj. Është shtëpia e tyre. Ne ende nuk kemi aksione në atë shtëpi. Ne jemi Evropa, jo Bashkimi Evropian. Jemi të rrethuar nga kufijtë e saj dhe ende nuk jemi pjesë e shtëpisë së tyre. I vetmi problem që kam me ta, është se mund të kishin thënë përherë, shumë sinqerisht që ju duam, duam që të hyni, por kemi ca gjëra që na duhet t’i zgjidhim më përpara, kështu që nuk janë ende gati dhomat për ju…”, – u shpreh Rama.