Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar retorikën e tij ndaj liderëve të Kosovës dhe Serbisë lidhur me “ngërçin” e krijuar në veri.

 

Rama ka bërë thirrje që tre policët e arrestuar të lirohen, pasi në të kundërt kjo javë do të rikthejë “akullin” me Serbinë dhe marrëdhëniet mes dy vendeve do të bëjnë shumë hapa pas.

 

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, shkruan kryeministri.

 

Nga ana tjetër, Rama nuk është “përmbajtur” as ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti duke thënë se duhet të dalë nga guacka e vetëizolimit para se të jetë shumë vonë.

 

“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

 

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, shkruan Rama.

 

Kryeministri ka propozuar dhe një zgjidhje për situatën e krijuar, duke propozuar draftin e tij për asociacionin. Ndonëse se thekson që aleatët e kanë përkrahur dhe përgëzuar këtë draft, asnjë nga dy vendet nuk e ka marrë në konsideratë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re