Kryeministri Edi Rama ka reaguar për incidentet e dhunshme që ndodhën në veri të Kosovës, ku protestuesit serbë plagosën 25 ushtarë të KFOR-it.

Rama thotë se plagosja e këtyre të fundit ngarkon me përgjegjësi dhunuesit.

Kryeministri thekson se zgjatja e këtij konflikti në veri të vendit, aq më shumë lëndon Kosovën.

“Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova”, ka shkruar Kryeministri Rama në Twitter.

Sipas kreut të qeverisë shqiptare, situata zgjidhet me dialog mes palëve dhe ndërmjetësim të aleatëve.

“Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm”!

Kryeministri Rama bën thirrje që të dëgjohen aleatët ndërkombëtarë.

“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare”!

Kryeministri shqiptar që në ndezje të tensioneve pak ditë më parë në veri të Kosovës, ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re