Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, se është arritur pajtimi për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

 

“Kërkuam që Kosova të pezullojë menjëherë operacionet policore në ndërtesat e komunave në veri dhe katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Serbia të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave, njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës. Kjo është rrënja e problemit dhe rrënja e zgjidhjes, zgjedhje të reja sa më parë me pjesëmarrje të plotë.”

Më tej Borelli bëri të ditur se i ka kërkuar presidentit serb lirimin e tre policëve të kufirit të Kosovës.

 

“Po ashtu kemi diskutuar për arrestimin. Kam theksuar që arrestet arbitrare dhe keqtrajtimi ndaj të burgosurve ose të paraburgosurve është i papranueshëm. I kërkova presidentit Vuçiç që tre policët, që po mbahen të burgosur në Serbi, të lirohen menjëherë dhe pa kushte.”

 

Kryeministri Kurti u shpreh i gatshëm për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Kosovë, por në përputhje me kornizën ligjore të vendit. Ndërsa Vuçiç deklaroi pas bisedimeve, se ende nuk është i qartë për një udhërrëfyes për situatën.

Për situatën, reagoi edhe kryeministri Rama, i cili tha se nuk mund të ketë përparim të procesit, pa u liruar tre policët e burgosur në Serbi.

 

EDI RAMA

“Pa tre djemtë që largohen shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë! Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë, për të ndaluar këtë spirale absurditeti! Por gjëja e parë: Lironi 3 policët!”

 

Megjithë thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve, situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re