Teksa prej disa ditësh dhjetëra emigrantë ankohen se nuk lejohen nga autoritetet shqiptare të futen në Shqipëri, kryeministri Edi Rama tregoi për herë të parë sesi do të veprohet me ta.

 

Edi Rama deklaroi në një video-mesazh në “Facebook” se nuk do të lejohet asnjë shqiptar rezident në vendet e huaja që të futet në Shqipëri. Ndërsa ata që kanë urgjencë, do të duhet të karantinohen 14 ditë në hotel me shpenzimet e tyre.

 

“Ne kemi vendosur që brenda 24 orëve të ardhshme të hyjmë në një proces të ndërmjetëm dhe kush do të vijë në kufi tokësorë me dokumente rezidnce në vende të tjera nuk do të lejohet të hyjë në asnjë rast. Ndërsa të tjerët do të karantinohen për 14 ditë në hotel me shpenzimet e veta dhe do të kontrollohen nga Policia e Shtetit.”

 

Ai theksoi se asnjë emigrant nuk duhet të marrë rrugët për t’u kthyer në atdhe këto kohë për të mbrojtur jetë njerëzish.

 

“Më lejoni të prek një çështje, atë të kufijve, të atyre që kuturisen. Kemi një situatë si vijon: Në kufirin e Kakavijës nuk ka asnjë problem tani që flasim, ndërsa në kufirin e Kapshticës kemi 19 makina të personave që janë banorë rezidentë në Greqi që nuk kanë asnjë urgjencë të posaçme, por kërkojnë të hyjnë për të takuar familjet. Është e vetmja rrugë që ne kemi në këto kohë që të dekurajojmë maksiamlisht hyrjet në kufi.”

 

Një përgjigje kreu i qeverisë dha edhe për opozitarët që kanë akuzuar qeverinë se është kriminale të mos lejosh shqiptarët të futen në atdheun e tyre.

 

“Kush bën patriotin, vajtimtarin për shkeljet e të drejtave të njeriut, thjesht dhe vetëm synon të nxisë katastrofën. E them këtë pa as më të voglin diskutim. Prej shumë e shumë vitesh Sali Berisha ka vetëm një synim, si e si të rishkatërrojë Shqipërinë. Kufijtë janë të mbyllur për të mbrojtur jetën.”

 

Sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë për të mbrojtur popullin nga katastrofa.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re