Skip to content

Rama u bën apel qytetarëve me nënën shqiptare: Pa vdekjen me sy, dëgjojeni se kjo nuk është lojë (video)

Kryeministri Edi Rama publikoi një video ku rrëfehet një nënë e infektuar me COVID-19, e cila tregon vuajtjet që iu desh të kalonte, ndërsa kurohej nga koronavirusi. Kreu i qeverisë u bën apel qytetarëve që ta dëgjojnë dhe të mësojnë e gjithashtu të binden se kjo nuk është lojë po luftë, e të gjithë duhet që të bëhen roje të atyre që kanë përreth.

“ JU LUTEM SHIKOJENI KËTË NËNË SHQIPTARE

Nënë Engjëllushja, mund të ishte nëna e secilit prej nesh, e cila u kthye në jetë pasi pa vdekjen me sy në gjendjen e rëndë ku e futi Armiku i Padukshëm!

Prandaj ju lutem ta shohin e ta dëgjojnë, në radhë të parë ata këtu, që thonë virusi nuk ekziston dhe kërkojnë liri për t’u infektuar e për të infektuar, largqoftë, nënat e baballarët e tyre!

Në radhë të dytë, ta dëgjojnë ata që akoma nuk mësuan të respektojnë mjekët, infermierët dhe sistemin shëndetësor të transformuar rrënjësisht, e që nuk duan ta kuptojnë se mosozot po të kishte ardhur kjo flamë para ca vjetësh, këtu do ishte bërë kasaphanë.

Pastaj ta shohin e ta dëgjojnë këtë nënë edhe gjithë të tjerët dhe ta mbledhim mendjen top të dashur miq, se kjo nuk është lojë dhe për ta fituar deri në fund këtë luftë, duhet të bëhemi secili prej nesh roje e shëndetit tonë e të atyre që kemi përreth”, shkroi Rama në Facebook.