Në mbledhjen me dyer të mbyllura që zhvilloi gjatë ditës së djeshme me krerët e bashkive, kryeministri Edi Rama mësohet se iu ka bërë presion atyre që të miratojnë sa më parë kalimin e pronësisë së ujësjellësve në dorë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Disa prej bashkive nuk e kanë marrë ende një vendim të tillë, me pretendimin se nuk kanë gjetur dakordësi në këshillit bashkiak, edhe pse duhet thënë se këta të fundit janë të gjithë në dorë të socialistëve.

Fax News pyeti disa nga kryebashkiaket nëse kanë kaluar për votim në keshillat bashkiake shkrirjen e ujësjellesave dhe a ishin të qartë për vendimin e qeverisë për këtë çështje të marrë në 11 maj. Fredi Kokoneshi kreu i bashkisë Divjakë, deklaroi se ky vendim u anullua nga këshilli bashkiak pak javë më parë, pasi këshilltarët kërkonin më shumë sqarim nga institucionet në qendër.

Në qarkun e Gjirokastrës ky vendim është miratuar nga këshillat bashkiakë të 5 bashkive, ndërsa ende nuk ka vendim nga Bashkia Tepelenë dhe ajo e Libohovës. Këshilli Bashkiak i Durrësit ende nuk ka marrë në dore vendimin pasi UKD nuk ia ka paraqitur atë zyrtarisht bashkisë.

Kërkesa pritet të miratohet nga Ksh. Bashkiak Durrës në fund të muajit Qershor. Vendimi për shkrirjen e ujësjellësave është votuar nga këshillat bashkiakë në gjithë bashikitë e Korçës. Edhe këshilli bashkiak Fier ka miratuar kërkesën në 8 qershor.

Edhe Bashkia e Elbasanit nuk e ka kaluar ende vendimin, ndërkohë që në një intervistë për Fax Neë Gledian Llatja zbuloi edhe arsyet:

Llataj: Në fakt kemi diskutuar për decentralizimin dhe për problematikat që kemi hasur ne, për çështjet financiare të pushtetit vendor që kanë qenë dhe janë thembra e Akilit e zhvillimit ekonomik dhe rajonal dhe kjo ka qenë tema kryesore e diskutimeve. Është e vërtetë ka dalë një akt normativ për bashkimin apo rajonalizimin dhe menaxhimin e ujëjellësit nga rajoni, pra nga bashkia.

Bashkitë vazhdojnë të jenë aksionere të gjithë shërbimit, mirëmenaxhimi është çelësi dhe thelbi i këtij rajonalizimi që po i bëhet shërbimit të ujit të pijshëm në të gjitha bashkitë e vendit. Bashkia e Elbasanit ka dhënë dakordësinë e saj pasi kemi bërë studime teknike dhe kemi marrë parasysh dhe problematikat që kemi pasur me rajonalizimin, siç kemi me shumë bashki.

Kemi shumë burime ujore që i kemi të përbashkëta. Problematikat që kemi pasur në disa fshatra në Papërr kanë kaluar jo në mënyrë zyrtare por nëpërmjet komunikimit dhe marrëveshjeve të vogla për furnizimin me ujë të banorëve.

Me këtë sistem i jepet zgjidhje. Sot jemi një ekonomi e vogël, por bashkimi i tyre sjell efikasitet. Ne i kemi bërë gati materialet, kemi pasur komunikim të vazhdueshëm me Agjencinë Kombëtare të  Ujësjellës Kanalizimeve pikërisht për të kuptuar ne më mirë dhe pjesa jonë teknike si dhe ujësjellësat, kemi pasur dhe takim drejtorin e kësaj agjencie pikërisht për të sqaruar të gjitha problematikat teknike dhe për të kuptuar se si do të bëhet ky bashkim.

Në 11 maj qeveria deklaroi se miratoi reformën në ujesjellësa. Në gjithe vendin sic u shpreh atë ditë Balluku do funksionojnë vetëm 15 drejtori qendrore nga 61 ujësjellës që ishin gjithsej ku ministria që ajo drejton do jetë aksionerja kryesore.

Bëhet fjalë për vendimin  “POLITIKAT KOMBËTARE PËR RIORGANIZIMIN E SEKTORIT TË FURNIZIMIT ME UJË DHE TË LARGIMIT, TRAJTIMIT DHE PËRPUNIMIT TË UJËRAVE TË NDOTURA”, e publikuar po atë ditë  edhe në faqen e qeverisë.

Sic lexohet qartë në vendim edhe pse qeveria lë në dëshirën apo mundësitë e vetë bashkive lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me ministrinë përgjegjëse për riorganizimin e ujësjellës kanalizimeve, Rama e ka kthyer këtë në proces të detyrueshëm dhe imponues për të zgjedhurit e tij.

“Për kryerjen e funksioneve në dobi të përbashkët dhe përmirësimin e cilësisë të shërbimeve të ofruara në sektorin e furnizimit me ujë, si dhe largimit, trajtimit e përpunimit të ujërave të ndotura, dy ose më shumë njësi të vetëqeverisjes vendore, brenda një qarku apo midis qarqeve të ndryshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizimin dhe funksionimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, mund të lidhin marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet tyre dhe me ministrinë përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë për riorganizimin e shoqërive aksionare ekzistuese të ujësjellës-kanalizimeve. “

Rama dha urdhër që procesi i kalimit të pronësisë dhe të administrimit nga pushteti lokal te ministria që drejton Balluku, të përfundojë brenda muajit Shtator.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re