DEKLARATË E CLR (Qendra për të Drejtat në Punë)

Mbi zhvillimet e fundit në Rafinerinë e Naftës në Ballsh
Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) shpreh shqetësim për mungesën e thellë të transparencës nga institucionet shtetërore për atë çka po ndodh me rafinerinë e naftës në Ballsh.

Sikurse është bërë e ditur nga media, protestat dhe shqetësimet e punëtorëve të rafinerisë jo vetëm që kanë rënë në vesh të shurdhër, por në mënyrë të befasishme rafineria po i nënshtrohet procesit të demontimit.

Në kushtet e mungesës së plotë të transparencës për shkatërrimin e aseteve të kësaj pasurie vlen të theksohet se Ligji “Për Falimentimin” ndalon hapjen e procedurave të falimentimit në sektorët strategjikë. Vetëm përmes deklasifikimit të industrisë së përpunimit të naftës si strategjike me ligj në Kuvend, do mund të kalohej në hapjen e procedurave të falimentit dhe demontimin e rafinerisë.

Sipas një raportimi të medias, referuar të dhënave zyrtare në fund të vitit 2014, rezultonte se ARMO kishte një detyrim afatshkurtër prej 20.1 milion dollarësh ndaj doganave për akcizën ndërsa 3.73 milion dollar ndaj tatimeve për taksa kombëtare, tatim pagash dhe kontribute sigurimesh. Referuar borxheve afatgjata, rezultonte edhe një tatim i shtyrë në vite në shumën prej 54.2 milion dollarë.
Këtyre detyrimeve u bashkohen edhe vendimet gjyqësore të fituara nga punëtorët e rafinerisë për pagat e papaguara, vendime të paekzekutuara.

Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) kërkon me insistim transparencë nga qeveria nëse është nxjerrë apo jo rafineria e ARMO-s nga kualifikimi si sektor strategjik?!

Nëse një veprim i tillë është ndërmarrë, a kanë regjistruar organet tatimore barrë siguruese mbi asetet e ARMO-s, në mënyrë që të sigurojnë rradhën e preferimit e cila në rastet e falimentimit, sipas ligjit ndihmon organet shtetërore të vjelin detyrimet e papaguara përpara kreditorëve të tjerë siç mund të jenë bankat?!

Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) kërkon gjithashtu nga qeveria të deklarohet se çfarë do të ndodhë me vendimet e gjykatës të fituara nga punëtorët, por të paekzekutuara dhe si do të marrin punëtorët atë që u takon në kushtet e demontimit të rafinerisë?!

A mban përgjegjësi qeveria për fatin e ARMO-s në kushtet kur në kontratën e privatizimit të këtij aseti shteti ruajti 15% të aksioneve?!
CLR vlerëson se mungesa e transparencës dhe vazhdimi i procesit të demontimit të rafinerisë në përfitim vetëm të bankave sikurse është aluduar publikisht cënon rëndë interesat e qytetarëve shqiptarë në tërësi dhe veçanërisht edhe ato të punonjësve të rafinerisë.

CLR u bën thirrje organeve të ekzekutivit, legjislativit, drejtësisë si dhe agjencive mbikqyrëse financiare që të ndjekin me kujdes këtë zhvillim dhe të marrin masat e duhura për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe ndëshkimin e çdo abuzimi me një prej aseteve më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.
CLR, Tiranë, 06/12/2021

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re