Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka reaguar ndaj sharjeve të Edi Ramës drejtuar mijërave e mijërave shqiptarëve që prej më shumë se 3 javësh kërkojnë dorëheqjen e tij.

Këlliçi shkruan në një postim në rrjetet sociale, se Edi Rama është në një gjendje të rënduar mendore, sepse ka prekur fundin e tij.

‘Fuck You’, Edi Rama i thotë shumicës absolute të shoqërisë.’, shkruan deputeti Belind Këlliçi në reagimin e tij.

Reagimi i deputetit të PD, Belind Këlliçi:

Edi Rama ndoshta është i vetmi udhëheqës që ka përdorur atë fyerje ndaj popullit të tij, siç e tha në ‘Financial Times’.
Edhe sunduesit brutalë e diktatorët xhelatë kanë qenë më të kujdesshëm e diplomatë dhe asnjëherë nuk i kanë thënë popullit të tyre: ‘Fuck You’.
Lëshimi i gjuhës në këtë mënyrë, është tregues i gjendjes së rënduar mendore të një Kryeministri që ka prekur fundin, ndërkohë që e dinte veten të paprekshëm dhe deklaronte se do të rrinte gjithë jetën në pushtet.
‘Fuck You’, Edi Rama i thotë shumicës absolute të shoqërisë.
Edhe nëse nuk janë në shesh me ato qindra mijë protestues, shqiptarët janë në solidaritet të plotë me ta.
Që është kumbari i çdo afere korruptive, qytetarët nuk kanë fare nevojë ta vërtetojnë, pasi ai është shfaqur dhe ka gjurmë kudo, në tendera, koncesione, leje ndërtimi, në plaçkitjen e pasurive dhe trojeve kudo në Shqipëri.
Kur të mos ketë më pushtetin si koracë mbrojtëse e imunitet, drejtësia do t’i nxjerrë fije për pe gjithë implikimet e tij.
Qytetarët e kanë provuar në lëkurë në 13 vite se ai është kumbari i çdo zullumi, padrejtësie e arbitrariteti në vend.
Ka më shumë se 3 javë që njerëzit janë ngritur masivisht, e kanë vrarë frikën, kanë pushtuar sheshet dhe i kanë dhënë fund një sundimi dhe një sunduesi të korruptuar e të lidhur me krimin.
Të rinjtë, burrat e gratë, familjarët, profesionistët, pensionistët nuk kanë nevojë të fyejnë si ai. Ata në të vërtetë e kanë çuar në djall Edi Ramën me aksionin e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re