Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me protestën e sotme para Kryeministrisë si edhe në një pjesë të mirë të qyteteve të vendit kundër rritjes së çmimeve.
Duke iu përgjigjur një qytetari në rrjetet sociale, Rama është shprehur se kanë gati paketën për të mbrojtur qytetarët nga ndihma, ndërsa e ka quajtur pakicë numrin e qytetarëve që po protestojnë këto ditë.
“Për atë protestë ndërkohë që tërë Europa, përfshirë edhe Shqipërinë, përballet me pasojat e para të një lufte, jo 4 ditë po 4 muaj apo 4 vjet të vazhdojë asgjë nuk do të kisha bërë dhe s’kam pritur ata që shajnë e ulërijnë as për të mbrojtur familjen tënde nga rritja e çmimit të energjisë dhe as për t’ju thënë të tërëve se brenda javës, domethënë sot do të kemi skenarët e përballimit të këtyre pasojave!
Sa për fuqinë e popullit, unë jam në këtë detyrë pikërisht fale asaj fuqie, e cila nuk ka lidhje me pakicën që shan, mallkon, abuzon, paturpësisht fare, duke akuzuar papushim për vjedhje pa pikën e turpit, tamam me logjikën e hajdutit që çdo gjë dhe çdo njeri e lidh me vjedhjen, ndërkohë që po të ishte për të vjedhur mbante të tjerë këtu në vendin tim fuqia e popullit!
Jo mor jo, do s’do kjo pakicë e çartur, nuk janë të tërë hajdute dhe nuk janë të tërë sharlatanë, po ka edhe ndryshe, kështu që vazhdoni protestën tani se unë kam detyrë të mbroj popullin nga pasojat e luftës, jo ata që flasin përçart në emër të tij!”, shkruan Rama.
