Kryeministri Edi Rama është larguar këtë mëngjes nga Prishtina për të vijuar ditën e dytë të turit të tij në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.

 

Gjatë paradites kryeministri mbërriti në Bosnje Hercegovinë ku u takua me kryetaren e këshillit të Ministrave, Borjana Kristo.

 

Sipas axhendës, pas dreke, kryeministri Rama do të pritet në Mal të Zi nga Kryeministri në detyrë, Dritan Abazoviç me të cilin do të mbajnë një konferencë për shtyp. Kreu i qeverisë shqiptare do të ketë takim dypalësh edhe me Presidentin malazez Jakov Milatoviç.

 

Pas Malit të Zi, Rama do të niset drejt Beogradit ku do të takohet me Presidentin Aleksandar Vuçiç dhe së bashku do të bëjnë  gjthashtu një deklarate për mediat.

 

Një ditë më parë kreu i qeverisë ishte në Prishtinë ku u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca por jo me homologun Albin Kurti.

 

Edhe pse kryeministri shqitar u shpreh shpresëplotë, madje nga shkupi i përmendi edhe mikpritjen sipas kanunit, kryeministri Kurti i mbylli derën e deri më tani nuk ka bërë asnjë reagim publik.

 

Megjithatë, në fokus të takimeve në kuadër të këtij turi ballkanik mbetet samiti i procesit të Berlinit që do të mbahet për herë të parë në tiranë në tetor të këtij viti.

 

Së bashku me kryeministrin e Maqedonisë së veriut Dimitar Kovaçevski, nga shkupi ku pati edhe ndalesën e parë, Rama theksoi se ky samit do të jetë shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe të gjithë vendet e rajonit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re