Kryeministri Edi Rama u shpreh se në mandatin e tretë pagat e mësuesve dhe bluzave të bardha do të rriten me 40% ndërsa pagat e administratës publike do të rriten me 30%. Ndërkohë pagat e politikanëve, theksoi ai do të mbeten të pandryshuara.

“Njerëz a do ta kuptoni apo nuk do ta kuptoni. Dhe kur do ta kuptoni se këta nuk janë as për ju dhe as për Shqipërinë. Kushdo që të përfundojë si pulat e Gon Dukës le të rrijë pakicë me pakicën se ne do vazhdojmë të jemi shumicë për shumicën. Në këto dy mandate ne ulën taksat mbi pagën dhe rritën pagat e mjekëve dhe infermierëve, mësuesve, punonjësve të policisë së Shtetit. Jam unë i pari që e di që nuk mjafton.

Prandaj në mandatin e tretë, pagat e mësuesve dhe bluzave të bardha do të rriten 40% më shumë. 30% do rriten pagat e punonjësve të administratës publike. Ndërsa pagat e politikanëve do të mbeten siç janë deri në vitin 2025. Sot kur fantazma e taksës së sheshtë është rishfaqur i them atyre të bëjnë kujdes më 25 Prill. E para, kjo është e pasigurt, ndërsa e dyta për ata mos e harroni se kush quhej biznes i vogël për ata. Rrini drejt dhe na mbështesni në rrugën e re me zero taksë. Jeni ata që fitoni më pak. Ndërsa këta juve ju marrin më shumë.

Nuk ka mundësi të ju dalë për mirë nëse dilni nga rruga e re. Po kur thonë falimentuan bizneset e vogla, Para 7 vitesh të punësuarit në bizneset e vogla ishin 52 mijë. Sot janë 152 mijë. Unë e di që nuk mjafton vetëm të hapin vende pune por duhet të krijojmë vende të reja pune në sektorin privat”, tha Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re