Në një urim drejtuar besimtarëve muslimanë në prag të nisjes së muajit të Ramazanit, kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnava, ka rezervuar një këshillë tej atyre për agjërimin e këtij muaji.

“Përmbajuni porosive të Zotit xh.sh. dhe të Muhamedit a.s., të dijetarëve të mirëfilltë dhe institucioneve fetare islame në shtetin tonë, e mos i kushtoni vëmendje thirrjeve devijuese nga njerëz të papërgjegjshëm e të pandërgjegjshëm!”, tha i pari i muslimanëve të Kosovës, referuar rasteve kur media u ka dhënë hapësirë disa individëve të çuditshëm mes besimit dhe jo besimit.

Ramazani vjen për t’i rikthyer shpirtrat e uritur në tryezën e Mëshirëplotit, për të futur mëshirë dhe devotshmëri në zemra, për të forcuar krijesën njeri me durim, qëndresë, vullnet, bujari e vendosmëri, për t’i rrënjosur në kraharorët e fëmijëve tanë dashurinë, bindjen dhe besimin në Zotin e Madhëruar.

Muaji i bekuar Ramazan është muaj që Zoti xh.sh. e veçoi nga muajt e tjerë të vitit, duke e dalluar atë me virtyte të larta dhe mirësi të pakufishme. Në Ramazan, që me të drejtë quhet zotëria i muajve të tjerë, përmes melekut Xhibril, tek i Dërguari Muhamed a.s., u zbrit edhe shpallja fisnike, siç Zoti xh.sh. e thotë: ‘Muaji Ramazan është muaji në të cilin zbriti Kurani, udhërrëfyes për njerëzit.

Në Ramazan, bashkë me Kuranin, zbriti dhe zbret mëshira, shumëfishohen shpërblimet e veprave dhe punëve të mira, falen mëkatet dhe veprat e liga, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen ato të  Xhehenemit”, thotë ndër të tjera në urimin e tij Myftiu Tërnava.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re