Skip to content

“Ramës i rrezikohet liria nga SPAK”, Kulluri: Mbrojtja e Ballukut e nxori zbuluar si hallka më e lartë e korrupsionit në vend!

654

I ftuar në programin e drekës në News24, analisti Edvin Kulluri ka analizuar valën e protestave masive kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij, të cilat sot kanë hyrë në ditën e tyre të 68-të. Kulluri nëvizoi se revolta qytetare ka akumuluar arsyet e vërteta të pakënaqësisë shoqërore, ndërsa kërkesa për dorëheqjen e kreut të qeverisë është e vetmja rrugë për të nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike.

Sipas analistit, mobilizimi i qytetarëve në bashkitë që kundërshtojnë shkrirjen e tyre në kuadër të reformës së re territoriale dëshmon se kjo lëvizje nuk ka asnjë lidhje me pretendimet apo narrativat e përdorura nga maxhoranca gjatë këtyre 65 ditëve.

Kulluri theksoi se sheshet e 15 bashkive që preken nga zhbërja e pushtetit vendor tashmë janë bashkuar në një front të përbashkët me protestën kombëtare, pasi qytetarët kanë arsye të forta dhe direkte për t’u përballur me vendimmarrjet e pushtetit qendror.

Lidhur me qëndrimin e kryeministrit, analisti u shpreh se Rama është tërësisht koshient për realitetin e krizës në shoqëri, por e ka të pamundur të ofrojë një zgjidhje pasi është vetë shkaktari i saj. Sipas Kullurit, refuzimi i dorëheqjes lidhet drejtpërdrejt me frikën nga përballja me drejtësinë.

“Kërkesa për dorëheqjen e Edi Ramës është ajo që tenton të nxjerrë vendin nga kriza politike që e ka përfshirë prej kohësh. Rama është koshient që gjendja në shoqëri është e vërtetë dhe që kërkon një zgjidhje, por ai nuk ia jep dot sepse është shkaktari. Nëse pranon dorëheqjen, është i bindur se do rrezikonte edhe humbjen e lirisë për shkak të shumë dosjeve në SPAK. Nuk ka më njeri naiv në Shqipëri që të mos e dijë se hallka e fundit dhe më e larta e korrupsionit në Shqipëri është Rama. Mbrojtja që i bëri Ballukut përballë kërkesës për arrest që bëri SPAK e nxori atë zbuluar,” deklaroi Kulluri.