Sportistët e njohur spanjollë siç janë Sergio Ramos, Pau Gasol dhe Fernando Alonso kanë mbështetur fushatën të cilën e inicoi Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) për ndihmë të fëmijëve sirianë me rastin e 10-vjetorit të luftës civile në Siri.

Kapiteni i Real Madrid-it, Sergio Ramos, basketbollisti i Barcelonës, Pau Gasol, vozitësi i Formula 1, Fernando Alonso, ish-basketbollisti spanjoll Jose Calderon dhe Juanma Lopez Iturriaga në videon e publikuar në profilin e UNICEF-it në rrjetet sociale veshën fanellën me numrin simbolik 10 për të tërhequr vëmendjen ndaj vuajtjeve të fëmijëve në luftën në Siri

“Miliona fëmijë sirianë po vuajnë për shkak të luftës që ka zgjatur për dhjetë vjet. Doemos duhet të luajmë si një ekip për të fituar këtë ndeshje”, theksuan yjet spanjollë.

Ata veçanërisht theksuan se fëmijët janë viktimat më të mëdha të luftës.

“Le të jetë numri im 10 për Sirinë me dëshirën që ky të jetë përvjetori i fundit i luftës në të cilën 8,5 milionë fëmijë kanë nevojë për ndihmë humanitare. Ata kanë rezistuar për dhjetë vjet, por ata ende kanë nevojë për ndihmën tuaj”, theksuan pjesëmarrësit në këtë aksion.

Fernando Alonso bëri thirrje në Twitter për të ndihmuar fëmijët në Siri.

“Imagjinoni një vend ku 1.300 shkolla dhe qendra shëndetësore janë sulmuar ose shkatërruar. Ekziston një vend i tillë. Ajo është Siria dhe ka qenë në luftë për dhjetë vjet. Anëtarësohuni në ekipin tonë të UNICEF-it për të siguruar ndihmë humanitare për fëmijët sirianë”, tha Alonso.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re