Nga Blendi Gashi

Ramush Haradinaj, në kuvendin e tetë zgjedhorë të AAK-së, është rizgjedhur kryetar i kësaj partie edhe për një mandat katër vjeçar. Kështu është bërë kryetari më jetëgjatë në skenën politike kosovare, pasi që kur themeloi partinë në prill të 2000 kur la petkun ushtarak, nuk ka lëshuar rrugë për gjenerata tjera.

Ashtu siç pritej dhe ndodh zakonisht në subjektet kosovare, Haradinaj u rikonfirmua pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë kandidat.

Ai pasi mori dhe mandatin e radhës katër vjeçar foli veç fjalë miradije për partinë dhe bashkëpartiakët, por sigurisht në asnjë moment nuk tregoi pse nuk ja lëshoi kryetarllakun ndonjë bashkëpunëtori të tij, apo qoftë edhe vëllaut Dautit.

Ai tha se AAK ekziston në bazë, në njerëz, në zemra dhe në vlerë, e cila shtrihet në tërë Kosovën dhe se rritja e partisë së tij është rritje e vendit.

Me rizgjedhjen sërish si kryetar i partisë Haradinaj bëhet kampion i kryetarllakut në Kosovë, duke lënë pas dy liderët kryesorë kosovarë, Ibrahim Rugovën e Hashim Thaçin.

LDK-ja 29 vjet nga themelimi, tre kryetarë…

Partia më e vjetër në Kosovë, LDK-ja, e cila është themeluar në dhjetorin e vitit 1989 për më shumë se dy dekada e gjysmë ka pasur tre liderë partiakë: Ibrahim Rugovën, Fatmir Sejdiun dhe tash Isa Mustafën.

Rugova e udhëhoqi LDK-në plotë 15 vite (23 dhjetor 1989 – 21 janar 2006). Sigurisht se ndryshimi i kryetarit në LDK erdhi pasi Rugova ndërroi jetë, sepse vështirë se mund ta sfidonte ndonjë kandidat po të ishte gjallë.

Ndërsa Fatmir Sejdiu nuk arriti të mbajë postin më shumë se një mandat dhe “fajtori” për këtë ishte tashmë ish-miku i tij Isa Mustafa i cili e rrëzoi nga karriga e kryetarit në nëntor të 2010-tës.

Ky i fundit është në përfundim të mandatit të dytë (pra tetë vite kryetar) dhe nuk pritet që të garojë sërish në vitin 2019 kur kjo parti mbanë zgjedhjet e brendshme, për shkak se ka probleme shëndetësore.

PDK, dy kryetarë nga themelimi

PDK u themelua menjëherë paslufte, konkretisht me 10 tetor të 1999 nga udhëheqës të UÇK-së, shumica e të cilëve deri asokohe ishin aktivistë dhe udhëheqës të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Kryetar i saj u zgjodh Hashim Thaçi të cilën parti e udhëhoqi për mbi 15 vjet (10 tetor 1999 – 26 shkurt 2016), duke mos ia lëshuar karrigen asnjë bashkëpartiaku deri kur dha dorëheqje para se zgjedhej president i vendit.

Kur ia arriti qëllimit, në dorë ja la partinë mikut të tij të ngushtë Kadri Veselit i cili tashmë është në fund të mandatit të parë si kryetar i PDK-së dhe pritet që të rizgjidhet sërish në fund të këtij viti, pasi pak besohet se mund ta sfidojë ndonjë bashkëpartiak.

Vetëvendosje 14 vjet nga themelimi, dy kryetarë

Vetëvendosje e themeluar në vitin 2004 si Lëvizje dhe pak vite më parë e shndërruar në parti ka ndryshuar dy kryetarë. Themeluesi Albin Kurti udhëhoqi partinë deri më 2015 kur më pas ja la kryetarllakun Visar Ymerit përnjë mandat dhe pas përçarjeve që plasën në këtë parti Kurti rimori sërish drejtimin e partisë, ndërsa Ymeri u largua nga VV dhe ju bashkua Partisë Socialdemokrate që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti.

Pacolli 12 vjet kryetar, Limaj në mandatin e dytë

Edhe partia Aleanca Kosova e Re (AKR) që nga themelimi në vitin 2006 ka një kryetar. Ai është biznesmenti Behgjet Pacolli i cili tashmë e 12 vjet mban karrigen e kryetarllakut të partisë.

Në mandatin e dytë si kryetar i partisë është edhe Fatmir Limaj i cili themeloi NISMA-n për Kosovën në 2014-tën (pas përçarjes me Hashim Thaçin ku u largua nga PDK). Kjo parti në janar të 2018-tës ndryshoi emrin në NISMA Socialdemokrate. Mbetet të shihet në Kuvendin e radhës së partisë në Limj do të lëshojë karrigen e kryetarllakut apo do të ndjekë rrugën e Haradinajt e Thaçit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re