Ushtruesi i detyrës president i Sri Lankës, Ranil Wickremesinghe, është zgjedhur për president të ri të vendit, i cili lufton me krizë financiare.

Sekretari i përgjithshëm i Parlamentit, pas votimit sot në mëngjes, bëri të ditur se Wickremesinghe, i cili fitoi 134 prej 225 votave në Parlament, është zgjedhur president i ri i Sri Lankës.

Të vlefshme ishin 219 vota, katër vota u shpallën të pavlefshme dhe dy përfaqësues abstenuan nga votimi.

Në garë për postin e presidentit ishin tre kandidatë. Wickremesinghe u përball me Dullas Alahapperum dhe Anura Kumar Dissanayake të cilin e mbështet opozita.

Javën e kaluar, kryeministri Wickremesinghe dha betimin si president i përkohshëm I Sri Lankës, pasi Gotabaya Rajapaksa u arratis nga vendi.

Ish-presidenti Rajapaksa u arratis nga Maldivet për në Singapor pas muajsh protestash në rrugë kundër krizës ekonomike të Sri Lankës që u përshkallëzuan në trazira sociale. Mijëra protestues sulmuan pallatin presidencial në kryeqytetin Colombo dhe i vunë flakën shtëpisë së kryeministrit.

Banorët e Sri Lankës për krizën fajësojnë dinastinë politike Rajapaksa. Vëllai i Rajapaksa, Mahinda dha dorëheqjen si kryeministër në maj.

Në mungesë të rezervave valutore pas kolapsit të ekonomisë që varet nga turizmi, ky komb ishull me 22 milionë banorë nuk e ka paguar të gjithë borxhin e jashtëm

Vendi nuk ishte në gjendje të paguante për ushqimin, karburantin dhe nevojat e tjera themelore, ndërsa mungesa e karburantit çoi në ndërprerje afatgjate të rrymës. Shkollat janë mbyllur dhe nëpunësit civilë punojnë nga shtëpia.

Qeveria po negocion me Fondin Monetar Ndërkombëtar për një pako ndihme, por marrëveshja ende nuk është finalizuar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re