Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nga Qendra Shëndetësore Kamëz, ka prezantuar një tjetër sistem elektronik që do të shmangë burogracitë për qytetarët.

 

Raporti mjekësor dhe dokumenti shëndetësor që dëshmon aftësinë për punë, tashmë merren online.

“Ky sistem i ri për raportin mjekësor elektronik dhe i dëshmive të aftësisë për punë, do të sjellë me të vërtetë një revolucion brenda gjithë sistemit të shërbimeve. E para, sepse vetë qytetari, i cili ka një problematikë shëndetësore dhe i duhet të kërkojë një raport tek mjeku i familjes – dhe është një akses që përfshin rreth 1600 mjekë të familjes në të gjithë Shqipërinë- do të ketë mundësi që ta përfitojë këtë raport mjekësor online, pra nëpërmjet platformës e-Albania. Dhe në të njejtën kohë, përpos që ky raport mjekësor merret në mënyrë elektronike, i shkon edhe punëdhënësit në të njëjtin moment, duke shmangur burokracitë dhe ecejaket e qytetarëve për të marrë dhe dorëzuar një raport mjekësor apo dokumentin që dëshmon aftësinë në punë”, tha Manastirliu.

Gjatë vizitës në Qendrën Shëndetësore Kamëz, Ministrja Manastirliu bëri me dije se faza e dytë e këtoj projekti do të shtrihet edhe për raportet e barrëlindjes, të cilat do të jepen online.

 

“Të gjitha raportet afatgjata, apo ato të lejeve të barrëlindjes do të jepen elektronikisht. Pra nuk do të jetë më e nevojshme për të vajtur vetë qytetari, gruaja që sapo ka lindur të shkojë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore apo në degët e tij dhe të dorëzojë dorazi. Sepse ky raport shkon elektronikisht, përllogaritja është elektronike dhe depozitimi gjithashtu në llogarinë e qytetarit që ka përfituar këtë raport bëhet gjithashtu automatike”, bëri me dije Manastirliu.

Nga muaji prill deri më tani, në të gjithë vendin janë më shumë se 70 mijë raporte mjekësore dhe dokumente të aftësisë për punë të lëshuara online, me sistemin e ri elektronik pranë mjekut të familjes.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re