Skip to content

Raportet mjekësore tashmë mund të merren në e-Albania me nënshkrim elektronik

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Raportet mjekësore për paaftësi të përkohshme nuk do të merren më me letër, por do të jepen në e-Albania.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj e cila njoftoi shërbimin e dedikuar në e-Albania. “Raportet mjekësore jepen nga sot në e-Albania, pa radhë, pa kosto, pa lekë nën dorë. Prej vitesh, marrja e një raporti mjekësor ishte kthyer në problem më vete. Tashmë raportet me letër janë pjesë e së shkuarës. e-Albania mundëson marrjen e raportit mjekësor me nënshkrim elektronik, në transparencë të plotë. Dokumenti me nënshkrimin e mjekut sjell një lehtësi të madhe për punëdhënësit dhe punëmarrësit”, tha Karçanaj.

Hapat e aplikimit për një raport mjekësor janë të thjeshtë në e-Albania. Tashmë, pas vizitës, pacienti merr nga mjeku një kod që e paraqet pranë punëmarrësit. Vërtetësia e dokumentit bëhet menjëherë nga ana e punëmarrësit përmes sistemit të kontrollo.eraporte.gov.al. Me vendosjen e Kodit, punëdhënësi gjeneron të dhënat e punëmarrësit dhe periudhën e paaftësisë në punë.

Ky shërbim elektronik shmang vonesat në radha dhe padrejtësitë e mundshme në marrjen e raporteve mjekësore, që ishin një problem i trashëguar si për punëmarrësit ashtu edhe për punëdhënësit.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë