Kim Jong Nam, gjysmë vëllai i udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i cili u vra në Malajzi në vitin 2017, kishte qenë një agjent i CIA-s, raporton Wall Street Journal.

Gazeta iu referua një personi “anonim” dhe tha se së shpejti do të shpalosë edhe më shumë detaje të marrëdhënieve të Kim Jong Nam me CIA-n. Ndërkohë, CIA nuk pranoi të komentoj.

Gazeta citoi një person anonim që thoshte se “ka pasur një lidhje” midis CIA-s dhe Kim Jong Nam.

Por disa ish-zyrtarë amerikanë thanë se gjysmë-vëllai i Kim, i cili kishte jetuar jashtë Koresë së Veriut për shumë vite dhe nuk kishte vendqëndrim në Phenian, nuk ishte në gjendje të japë detaje për punët e brendshme të vendit të izoluar.

Ish zyrtarët gjithashtu thanë se Kim Jong Nam kishte qenë në kontakt me shërbimet e sigurisë të vendeve të tjera, veçanërisht të Kinës.

Roli i Kim Jong Nam si një informator i CIA është përmendur në një libër të ri rreth Kim Jong Un, te quajtur “Pasardhësi i Madh”. Libri është botuar nga gazetarja e Uashington Post, Anna Fifield. Fifield thotë se Kim Jong Nam zakonisht mbante takime pune në Singapor dhe Malajzi.

Zyrtarët e Koresë së Jugut dhe SHBA kanë thënë se autoritetet e Koresë së Veriut kishin urdhëruar vrasjen e Kim Jong Nam, i cili kishte kritikuar sundimin dinastik të familjes së tij. Pheniani ka mohuar akuzat.

Dy gra u akuzuan për helmim të Kim Jong Nam pasi në vitin 2017 kishin hedhur në fytyrën e tij një lëng “VX”, një preparat kimik i ndaluar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re