Organizata më e madhe në Shtetet e Bashkuara për të drejtat civile dhe avokuese muslimane (CAIR) publikoi një raport të martën ku zbulohej se janë dhuruar afro 106 milionë dollarë fonde për grupet islamofobe midis 2017-2019.

Raporti i titulluar “Islamofobia në Mainstream” nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islame (CAIR) listoi 35 institucione dhe fondacione bamirëse që kanë dhuruar 105,865,763 dollarë për 26 grupe anti-muslimane.

Sipas raportit, në mesin e gjashtë financuesve kryesorë të rrjetit të Islamofobisë në SHBA janë organizata si Christian Advocates Serving Evangelism Inc., Fidelity Charitable Gift Fund, Schwab Charitable Fund, Marcus Foundation, Adelson Family Foundation dhe Jewish Communal Fund.

Grupet islamofobe janë përgjegjëse për përhapjen e informacioneve të rreme rreth komuniteteve muslimane në SHBA dhe më gjerë përmes rrjeteve sociale, shtypit, seancave dëgjimore publike dhe formave të tjera.

“Qendra Amerikane për Ligjin dhe Drejtësinë (ACLJ) ka përfituar një shumë prej më shumë se 60 milionë dollarësh nga Christian Advocates Serving Evangelism Inc. midis 2017-2019.

Firma ligjore ka një histori gjatë të mbështetjes së politikave anti-muslimane, si ajo për Ndalimi i Muslimanëve (Muslim Ban). Në vitin 2017, ACLJ paraqiti një dokument gjyqësor në mbështetje të ndalimit të muslimanëve,” thuhet në raport.

Koordinatorja Kombëtare e Kërkimit dhe Avokimit të CAIR, Huzaifa Shahbaz tha në një deklaratë se “nuk është sekret fakti që Rrjeti i Islamofobisë është  shumë aktiv dhe i mirëfinancuar”.

“Pavarësisht një rënieje të lehtë të fondacioneve që dërgonin para për grupet anti-muslimane, miliona dollarë ende derdhen në organizata që përhapin dezinformata dhe nxisin stereotipe të rrezikshme për muslimanët dhe Islamin”.

Shahbaz gjithashtu i bëri thirrje komunitetit filantropik që të vendosë politika të qarta për të parandaluar që fondet të shkojnë për grupet e urrejtjes dhe të zbatojnë iniciativa arsimore për stafin dhe anëtarët e bordit për t’i ndihmuar të kuptojnë shtrirjen e fanatizmit anti-musliman. /observer.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re