Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin, duke analizuar përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër terrorizimit.

Në raportin e DASH, thuhet se Shqipëria ka vijuar përpjekjet kundër terrorizmit në vitin 2022, duke riatdhesuar 13 shtetas të saj nga kampi i al-Hol në Siri.

Po ashtu në raport përmendet fakti se Shqipëria kërcënohet nga terrorizmi, pasi ka përpjekje nga organizata të huaja terroriste për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë.

“Nuk ka pasur incidente terroriste të raportuara në Shqipëri në vitin 2022”, thuhet në raport.

Ndërkohë raporti thekson se korrupsioni dhe mos koordinimi i mjaftueshëm ndërmjet agjencive qeveritare pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit në të gjitha nivelet, përfshirë ato që lidhen me luftën kundër terrorizmit.

“Korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit ndërmjet agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem i dobët gjyqësor vazhduan të pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit të Shqipërisë në të gjitha nivelet, përfshirë ato që lidhen me luftën kundër terrorizmit. Vazhdoi zbatimi i reformave të thella në sektorin e drejtësisë. Verifikimi i 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë për korrupsion, kompetencë dhe lidhje me krimin e organizuar ishte 75 për qind i përfunduar në fund të vitit”, thekson raporti.

“Shqipëria është zotuar të rrisë sigurinë e saj kufitare dhe përpjekjet e kontrollit për të ndaluar udhëtimin e terroristëve, me mbështetjen e ekspertëve dhe programeve të SHBA. Shërbimet e zbatimit të ligjit shqiptar bashkëpunojnë gjerësisht me INTERPOL-in dhe organe të tjera ligjzbatuese ndërkombëtare. Vendi vazhdon punën për zbatimin e rezolutës 2396 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara lidhur me Informacionin e Avancuar të Pasagjerëve dhe të dhënat e Emrave të Pasagjerëve dhe krijoi një Njësi të Informacionit të Pasagjerëve me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Shqipëria mbështet një sistem të mbikëqyrjes së sigurisë portuale për të zbatuar kërkesat sipas Kodit Ndërkombëtar të Sigurisë së Anijeve dhe Porteve të Organizatës Ndërkombëtare Detare”.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re