Skip to content

Raporti i ekspertëve të OKB-së: Mjekët rusë të përfshirë në torturimin e të burgosurve

russia prison

Raporti përshkruan një sistem të bazuar në frikë dhe ndëshkim, në të cilin të burgosurit politikë persekutohen, torturohen dhe i nënshtrohen trajtimit të detyruar psikiatrik.

Mjekët dhe personeli mjekësor në Rusi janë të përfshirë në torturën e të burgosurve politikë, sipas një raporti nga një ekspert i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së.

Marianna Katzharova, raportuese speciale për të drejtat e njeriut në Rusi, ka dokumentuar të paktën 50 raste keqtrajtimi.

“Mjerisht, represioni brenda Rusisë po rritet”, tha ekspertja bullgare në Gjenevë të hënën, duke prezantuar raportin e saj.

Kadzharova përshkroi një sistem shtetëror të bazuar në frikë dhe ndëshkim, në të cilin të burgosurit politikë persekutohen, torturohen, heshtin dhe i nënshtrohen trajtimit të detyruar psikiatrik.

Ligjet antiterrorizëm përdoren gjerësisht kundër disidentëve: “Shumë janë në burg jo për krime, por për guximin e tyre”, tha ajo.

Kadzharova tha se foli me mbi 200 organizata ruse dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, nga të cilat mori afërsisht 100 raporte.

Rusia nuk po bashkëpunon me hetimin, deklaroi Ministria e Jashtme në Moskë para takimit dhe nuk iu përgjigj raportit të fundit.

Raportuesja e OKB-së përmendi rastin e një ushtari ukrainas të plagosur në robëri. Një mjek e kreu operacionin në mënyrë korrekte, por më pas ia damkosi ushtarit në stomak fjalët “Lavdi Rusisë”.

Në raste të tjera, personeli mjekësor u përfshi aktivisht në torturat me elektroshok dhe i udhëzoi torturuesit mbi procedurat që duheshin ndjekur.

Mjekët thuhet se qëndruan pranë ndërsa të paraburgosurit rriheshin dhe keqtrajtoheshin. Të paraburgosur të tjerë iu nënshtruan trajtimit të detyruar psikiatrik.

Nga fillimi i vitit 2024 deri në mesin e vitit 2025, të paktën 912 persona u akuzuan për vepra penale politike, nga të cilët 390 u arrestuan. Shumë u arrestuan për protestat e tyre paqësore kundër luftës në Ukrainë.

Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së përbëhet nga 47 shtete anëtare, secila e zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për një mandat tre-vjeçar. Këshilli mund të emërojë ekspertë të pavarur me votë për të raportuar mbi situatën e të drejtave të njeriut në vende, rajone ose çështje specifike tematike.

Përshtati në Shqip S