Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, është shprehur se shqiptarët në Shqipëri jetojnë në një diktaturë me pamje demokratike.

Komentet Baçi i bëri gjatë një interviste për Panorama TV, ku tha se kryeministri Edi Rama ka bërë grusht shteti institucional dhe ka marrë nën kontroll të gjitha institucionet në vend.

Ai tha se qeveria ka vendosur bizneset në shërbim të PS, pasi sipas tij, shumë prej tyre marrin përsipër zona të caktuara elektorale, duke zënë kështu rolin e strukturave të partisë.

“Për raportin e Freedom House është vërtet alarmant, por jo i papritshëm. Madje duhet t’i shtojmë shumë gjëra të tjera atij raporti, që nuk i përmban. Në Shqipëri jetojmë në një diktaturë që ka pamje demokratike. Rama ka bërë grusht institucional shteti.

Ka marrë të gjitha institucionet nën kontroll. Opozita është vërtetë përgjegjëse, por në rastin kur është në një vend demokratik dhe nuk intimidohet dhe presionohet. Në këtë këndvështrim, çfarë dallimi ka diktatura. Rama në fakt i ka të gjitha pushtetet, i ka marrë pak nga pak. Pamë një KQZ të varur komplet nga Rama. KQZ hidhte topin te KAS dhe anasjelltas, bënin një lojë shumë të shëmtuar dhe në fund ndodhi ajo që pamë që komisionerët dhe numëruesit t’i kishte maxhoranca pa përjashtim, të mos ishte emri i drejtuesit të koalicionit në fletën e votimi.

Dhe tani del Rama dhe falenderon Aktivistët dhe patronazhistët. Në mënyrë të qëllimtë e bën këtë gjë, pasi ata kanë qenë të gjithë punonjësit e administratës që kanë marrë të dhënat e qytetarëve. Të gjithë bizneset janë vënë në shërbim të tij. Nuk ekzistojnë më struktura të PS, por ka biznese që marrin përsipër zona të caktuara zgjedhore”, u shpreh Baçi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re