Presidenti Meta ka reaguar mbi raportin e Freedom House, i cili e rendiste Shqipërinë një pikë më poshtë nga viti i kaluar, sa i takon respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive të qytetarëve. Meta shprehet se Shqipëria është vetëm një hap pranë autoritarizmit, dhe thotë se 25 Prilli është një moment historik për ti dhënë një trajektore të re demokracisë.

Postimi i Metës: 

Shqipëria një hap më pranë autoritarizmit! “Freedom House” e zbret Shqipërinë edhe më poshtë për vitin 2020, mes regjimeve HIBRIDE!

Shembjen e Teatrit Kombëtar për interesa klienteliste, dhunimin e protestuesve dhe vrasjen kriminale të Klodian Rashës gjatë kohës së pandemisë nuk mund t’i mbulojë asnjë propagandë. Këto dhe të tjera ngjarje të rënda kurrë nuk do të amnistohen dhe për to drejtësia do vendoset në vend.

Përkeqësimi i të gjithë treguesve, veçanërisht shkelja mizore e të drejtave të njeriut, është një këmbanë e fortë alarmi për instalimin e shtetit policor, që e kam denoncuar prej kohësh.

Referendumi i 25 prillit 2021 është momenti historik për t’i dhënë një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian.

Freedom House nxori raportin e saj vjetor të vitit 2021 për Lirinë në Botë, sipas së cilit hendeku mes rënieve dhe përmirësimeve në nivelin e lirisë u thellua. Sipas raportit, Shqipëria ka rënë një pikë më poshtë, ndërsa Kosova dy pikë. Maqedonia e Veriut ishte një nga historitë e suksesit me tri pikë përmirësim nga një vit më parë.

Sipas raportit Freedom House, Ballkani është mes rajoneve që kanë pësuar rënie, por ka shënuar edhe disa përparime. Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbeten pjesërisht të lira, dhe kanë pësuar një rënie prej një pike dhe dy pikësh respektivisht.

Shqipëria nga 67 pikë vitin e kaluar, ka 66 pikë këtë vit me një pikë rënie në kategorinë e të drejtave të grumbullimit dhe organizimit, lidhur me dy ngjarje.

“Ne pamë rënie në lirinë e grumbullimit, për shkak të dhunës midis protestuesve dhe forcave të sigurisë në maj, gjatë shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar. Një tjetër arsye për shqetësim ishte kur në dhjetor policia vrau një qytetar që kishte shkelur urdhrin për orën policore. Këto kontribuuan në rënien në kategorinë e lirisë së grumbullimit”, tha bashkëautorja e raportit Amy Slipowitz. (LEXO TË PLOTË LAJMIN)

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re