Shprehet sërish keqardhja për faktin se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe sërish u bëhet thirrje për një gjë të tillë.

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën me 469 vota pro, 96 vota kundër dhe 72 abstenime raportin e eurodeputetes Viola von Cramon për Kosovën.

Kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, PE rithekson rëndësinë e “angazhimit konstruktiv” të të dyja palëve në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe rikujton domosdoshmërinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në dialog, duke përfshirë edhe formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe (SMO).

Raporti i miratuar, i cili kështu mori formën e Rezolutës së sivjetme të PE për Kosovën, përsërit thirrjen drejtuar Bashkimit Evropian që të miratojë një vendim për regjimin pa viza për qytetarët e Kosovës.

Njohja e Kosovës

Shprehet sërish keqardhja për faktin se pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe sërish ftohen ta bëjnë këtë.

Me dokumentin e miratuar, Parlamenti Evropian mbështet plotësisht kërkesën e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, dhe merr parasysh synimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në BE këtë vit.

Paralajmërohet se “nuk ka procedurë të shpejtë” për Kosovën dhe se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i domosdoshëm që Kosova të përparojë në integrimet evropiane.

Eurodeputetët shprehin keqardhjen e tyre për vendimin e autoriteteve të Kosovës për të penguar votimin në territorin e Kosovës në zgjedhjet serbe të mbajtura më 3 prill.

Parlamenti Evropian vlerësoi Kosovën për përafrimin me qëndrimet e BE-së dhe sanksionet kundër Rusisë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re