Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi sot nga Brukseli raportin e Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian për Shqipërinë.
Berisha tha se raporti qe sapo u miratua në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian damkosi në mënyrë të qartë regjimin e Edi Ramës si një regjim që nuk respekton shtetin ligjor, që shkelmon të drejtën e informimet, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e pronës.

Sipas Berishës ky raport denoncoi farsën elektorale të 11 majit 2025.

Berisha tha se në raport thuhet se qeveria përdori burime të gjëra për të dominuar në zgjedhje që do të thotë se shteti i shndërroi zgjedhjet në një farsë elektorale.

Berisha: Mendoj se raporti që sapo u miratua në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, damkosi në mënyrë të qartë si kristali regjimin e Edi Ramës, si një regjim që nuk respekton shtetin ligjor, si një regjim që shkelmon të drejtat themelore, të drejtën e informimit, lirinë e shprehjes dhe të drejtën e pronës.

Në raport damkoset regjimi i Edi Ramës si një regjim në të cilin ndërhyhet politikisht fuqishëm në sistemin e drejtësisë. U shpreh shqetësimi i madh për stokun e madh të dosjeve, çka nënkupton mungesë procesi ligjor të drejtë për qytetarët shqiptarë.

Ky raport denoncoi me qartësinë më të madhe farsën elektorale të 11 Majit 2025 pasi e vërteta është se raporti citon hyrjen e raportit të përbashkët të OSBE/ODIHR, Parlamentit Europian, Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE, në të cilin që në rreshtat e para thuhet se qeveria përdori burime të gjera për të dominuar në zgjedhje. Pra, faktikisht ajo do të thotë se qeveria, se shteti ligjor i shndërroi zgjedhjet në një farsë elektorale.

Raporti gjithashtu denoncon Olta Xhaçkën dhe Edi Ramën, jo më emra, por i denoncon në aferën e tyre. Denoncon parlamentin për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, konkretisht për Xhaçkën dhe Vullnet Sinën.

Raporti e merr këtë si një shprehje të asgjësimit të shtetit ligjor dhe përqendrimit të të gjitha pushteteve në një dorë.
Raporti indirekte dënon ligjin e investimeve strategjike, pra ministret dhe ministrat që kanë përfituar nga ky ligj për të plaçkitur pronat e shqiptarëve.

Raporti mbështet fuqishëm kërkesat e pronarëve shqiptarë.
Ky raport në të vërtetë me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme që ka bërë Edi Rama, sot mund të themi se kjo ishte Vaterloj.

Edi Rama ka bërë përpjekje shumë të mëdha për të ndryshuar raportin, për të ndryshuar jo vetëm këtu, por për të ndryshuar raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Por sot, përveç këtij miratimi në Komisionin e Jashtëm të raportit për Shqipërinë, dhe me këtë rast shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë deputetët e këtij komisioni, në mënyrë të veçantë kryetarin McAllister, koordinatorin e grupit të PPE, zotin Gahler dhe deputetë të tjerë, me të cilët patëm dje takime intensive dhe paraqitëm rastin si duhet për qëndrimet e tyre, për diskutimet e tyre, për denoncimin publik që ata i bënë në këtë komision regjimit të Edi Ramës dhe zgjedhjeve të tij.

Por sot ne ishim në Asamblenë Politike të PPE se ishte dita e dytë. Edhe sot pati përqendrim përsëri te Shqipëria.
Kërkesa e zonjës Vokshi, që rezoluta e miratuar në Valencia, e cila parashikoi pikë për pikë farsën elektorale të 11 Majit dhe dokumente të tjera për Shqipërinë, të sensibilizojnë më shumë institucionet ndërkombëtare që kryesohen nga personalitete të qendrës së djathtë evropiane dhe qeveritë e qendrës së djathtë të BE, kërkesë që u prit me shumë mbështetje dhe interes nga drejtuesit e PPE, por edhe diskutantët.

Në këtë seancë sot, përsëri eurodeputeti dhe koordinatori i grupit parlamentar të PPE, zoti Gahler, mori fjalën ku mbështeti fuqishëm të gjitha denoncimet e raportit të OSBE/ODIHR dhe në mënyrë të veçantë u ndal në denoncimin e pjesëmarrjes së krimit të organizuar në zgjedhje, bashkëpunimin e politikës me krimin në Shqipëri.

Ndër të tjera unë dua të informoj shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar se një nga qëllimet e këtij udhëtimi ishte të denoncoja pranë autoriteteve të këtij tempulli, ndërhyrjet banditeske, ndërhyrjet e turpshme në formë presionesh të Edi Ramës dhe ministrit të jashtëm pranë vëzhguesve të OSBE/ODIHR në mënyrë që të mund të ndryshojnë raportin.

Pra, unë them se udhëtimi, qëndrimi dyditor në tempullin e demokracisë evropiane, realizoi qëllimet e tij.
Por unë pata edhe një takim me drejtuesit e PD për Brukselin dhe diskutuam gjerësisht për një plan. Qytetarët europianë do i dalin zot votës së tyre të shkelmuar nga narkoregjimi i Edi Ramës.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko