Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është shprehur se ka një strategji qeveritare për kanabizimin e vendit.

Komentet Noka i bëri përmes një interviste në Panorama TV, ku komentoi raportin e OKB për drogën, që e rendiste Shqipërinë në krye të vendeve transit të trafikut të kokainës dhe heroinës.

Noka shtoi gjithashtu se legalizimi i kanabisit mjekësor është hap ii parë drejt legalizimit të plotë të kanabisit.

“Shqipëria ka qenë në top listën e vendeve që prodhojnë kanabis dhe që janë korridor për transportin e drogërave të forta. Që nga viti 2015 këtë aspekt e thekson çdo raport i DASH. Që Shqipëria sot është shndërruar dhe gjerësisht pranohet se është Kolumbia e Europës, kjo nuk është risi. Që Shqipëria po kthehet në Meksikën e Europës, edhe kjo nuk përbën risi.

Gjëja më ogurzezë është fakti që DEA amerikane njofton qytetarët dhe i konsideron ata si partnerët e vetëm në luftën kundër drogës. Kjo nuk do të bëhej kurrë nëse do të ishte politikë qeveritare. Askush nuk duhet të ketë iluzion se kanabizimi që nisi atëherë ishte thjesht rastësi. Saimir Tahiri dhe koka e kupolës së policisë ishin thjeshtë zbatues të një strategjie të kanabizimit të vendit.

Shqipëria sot është në top listën e vendeve më të varfra të Europës. Shqipëria sot është në top listën e vendeve që trafikojnë drogëra të forta dhe kjo është taktikë qeveritare. Shqipëria është vendi numër një për trafikun e drogërave të forta dhe kjo është strategji qeveritare. Qeveria nuk ka vullnetin, prandaj them unë që është strategji qeveritare. Rilindja ktheu përmbys gjithçka dhe keni parë ju sot që të ketë sektorë të zhvilluar veç kanabisit?

Legalizimi i kanabisti mjekësor është vetëm hapi i parë drejt legalizimit total të kanabisit, për ta kthyer vendin në narkoshtet. Ekspertët më të mëdhenj luftarak nuk i gjetën pistat e avionëve që ndodheshin në Shqipëri dhe që janë përdorur nga trafikantët e drogës. Të dy projektet e qeverisë janë vrasëse dhe shkatërrimtare për ekonominë shqiptare. Në rast se në vitin 2014-2015 ne si PD dhe si opozitë ngritëm alarmin se po inkriminohej dhe kanabizohej policia, sot ngritëm alarmin se policinë e ka vënë nën thundër krimi i organizuar. Sot drejtuesit e policisë janë mëkëmbës të kanabizimit. Sot është vështirë të gjesh se ku është vija ndarëse mes shtetit dhe trafikantëve.

I përdor pushteti për të tjetërsuar votën dhe për të vrarë zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe pastaj Shqipëria kthehet në narkoshtet. Duhen zgjedhje të lira në këtë vend dhe të vijë një tjetër vullnet politik që ta çlirojë vendin nga kthetrat e korrupsionit dhe të krimit të organizuar”, u shpreh Noka.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re