Subscribe
Komisioni Europian përpiloi raportin final për shtetet e Ballkanit Perëndimor, që pritet të miratohet më 12 tetor.
Për Shqipërinë raporti vlerëson progresin e bërë për integrimin, por kërkohet që të ketë më shumë bashkëpunim me opozitën dhe shoqërinë civile. Komisioni pohon se Shqipëria ka vazhduar luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, ku përmenden dënimet e disa ish-zyrtarëve. Por Shqipërisë i kërkohet që të bëjë më shumë përpjekje në parandalimin e pastrimit të parave. Gjithashtu i tërhiqet vëmendja që të luftojë emigracionin ilegal dhe të personave të mitur.
Raporti flet edhe për gjendjen e opozitës, për të cilën theksohet se si pasojë edhe e konfliktit të brendshëm të partisë më të madhe opozitare në vend, Partisë Demokratike jeta politike në vend ka qenë e trazuar.
Ndërsa për Kosovën Komisioni vëren se ka pasur përparim në stabilitetin politik. Prishtina sipas dokumentit, i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Ndërsa sa i përket dialogut me Serbinë, të dyja vendeve u kërkohet angazhim urgjent për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.