Ish-kryeministri Sali Berisha, ka paralajmëruar Fondacionit Shqiptaro-Amerikan (AADF) të tërhiqet nga menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit, të cilën ai e cilësoi si “aferë korruptive me Edi Ramën”.

Gjatë fjalës së tij nga ballkoni i shtëpisë, referuar raportit të UNESCO-s, Berisha tha se Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, të kërkoj të falur, pasi sipas tij, kanë “kryer një akt shumë të rëndë ndaj një pasurie përrallore të kombit shqiptar”.

“Unë jam këtu për të kërkuar publikisht Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, tërhiquni menjëherë nga projekti, kërkoni të falur sepse keni kryer një akt shumë të rëndë ndaj një pasurie përrallore të kombit shqiptar. Është pikërisht projekti juaj, i bazuar në studimin tuaj korruptiv me Edi Ramën, që i dha këtij të fundit mundësinë të projektojë, të ndërtojë te Gjiri i Manastirit, te Kepi i Stillës me qindra e mijëra banesa”, tha Berisha.

“U bëtë bashkautor në një megakorrupsion të tmerrshëm me Edi Ramën”, u shpreh Berisha, ndërsa theksoi se nëse nuk tërhiqen do të ngrenë një peticion për të kërkuar hetim nga Kongresi i SHBA.

Kujtojmë se raporti i UNESCO-s nxori në përfundime se vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet për menaxhimim e integruar të Butrintit dhe u rekomandon autoriteteve shqiptare që Ministria e Kulturës të ruajë autoritetin tërësor të kësaj pasurie botërore dhe jo vetëm të një pjese të saj.

LEXO KËTU RAPORTIN E UNESCO-S

Pjesë nga fjala e Berishës:

Së fundmi miq kam një mirënjohje shumë të thellë ndaj Organizatës Botërore të Trashëgimisë Kulturore, UNESCO-s, e cila në raportin e saj që ka fshehur Edi Rama, zbërtheu copëtimin, shkatërrimin e Edi Ramës me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të parkut më përrallor që ka Europa, parkut kombëtar të Butrintit.

Më lejoni të falënderoj para jush, përzemërsisht deputeten Ina Zhupa e cila qëndroi e pamposhtur nga çdo presion, për t’i mbrojtur Shqipërisë pasurinë e saj më përrallore, parkun e Butrintit. Të falënderoj profesor doktor Apollon Baçen, avokat i pamposhtur i kësaj trashëgimie. Të falënderoj Aleancën për Mbrojtjen e Butrintit dhe të gjithë ata që u përballën me presionet më çnjerëzore, më të gjithanshme, por qëndruan në mbrojtje të kësaj pasurie të pashoqe e theksoj edhe njëherë.

Parku i Butrintit, nga qyteza arkeologjike te Kepi i Stillës, përbën ndoshta një nga mrekullitë më të mëdha në botë. Ky park u mbrojt dhe duhet t’u rrëfej këtu se nga viti 1993, gjer në vitin 2013, Fondacioni i Lordit Rothchild, luajti një rol shumë pozitiv në mbrojtjen e tij.

Unë ju kujtoj ju se në një moment kur zgjeruam rrugën për çështje sigurie, protestat e tyre te qeveria shqiptare ishin të përsëritura dhe të fuqishme. Por çfarë ndodhi më vonë? Parku u copëtua me projektin e Edi Ramës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan.

Unë jam këtu për të kërkuar publikisht Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, tërhiquni menjëherë nga projekti, kërkoni të falur sepse keni kryer një akt shumë të rëndë ndaj një pasurie përrallore të kombit shqiptar. Është pikërisht projekti juaj, i bazuar në studimin tuaj korruptiv me Edi Ramën, që i dha këtij të fundit mundësinë të projektojë, të ndërtojë te Gjiri i Manastirit, te Kepi i Stillës me qindra e mijëra banesa. Unë kam pasur një bashkëpunim të ngushtë, të frutshëm, kam respektuar shumë, kam vlerësuar lart të gjithë kontributin e këtij fondi. Kam pasur marrëdhënie miqësore me presidentin e tij.

Por natyrisht Butrinti ishte për mua, interesi i shqiptarëve ishte mbi të gjitha. Ndaj i them, zoti Granoff, tërhiqe projektin. I bëtë një dëm të madh. Ju keni kontribut të padiskutueshëm në dhjetëra e dhjetëra projekte në Shqipëri.  Por ajo që bëtë është e paimagjinueshme. U bëtë bashkautor në një megakorrupsion të tmerrshëm me Edi Ramën. Përndryshe, me një peticion do i kërkojmë hetim Kongresit të SHBA për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan. Keqpërdorimin e tij nga Edi Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re