Strategjia e konvergjencës, përkatësisht konvergjenca graduale e pikëpamjeve dhe opinioneve të kundërta, është një udhëzues që duhet të përdoret në zgjidhjen e mosmarrëveshjes prej shumë dekadash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe në planin afatgjatë një qasje e tillë do të kontribuonte në stabilizimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Këto janë propozimet e paraqitura nga Johns Hopkins School of Advanced International Studies në Uashington dhe Wilsonn Center, një institucion prestigjioz akademik amerikan, në raportin e sapobotuar “Nga kriza në konveregjencë – një strategji për luftimin e paqëndrueshmërisë në Ballkan”.

Raporti, i autorizuar nga ekspertë nga disa vende, ofron një strategji për një kthesë – jo vetëm përballë asaj që shihet si një përkeqësim shqetësues në Ballkanin Perëndimor, por edhe në rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.

“Në qendër të strategjisë është një argument i qartë: shpërbërja tre dekadash e Jugosllavisë duhet të përfundojë aty ku filloi – në Kosovë. Kjo vlen edhe për krizën e vazhdueshme në Bosnje. Sanksionet amerikane të vendosura në fillim të janarit, edhe nëse shtrihen në një gamë më të gjerë figurash të korruptuara në vend, nuk do të zgjidhin paralizën e gjatë dhe të paqëndrueshme të Bosnjës prej dekadash”, thuhet në raport.

U saktësua se njohja e pavarësisë së Kosovës nga katër anëtarët e Aleancës Veriatlantike që ende nuk e kanë bërë këtë (Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia) do të kontribuonte në transformimin e dialogut, i cili vlerësohet se po vdes.

Raporti mbron një strategji të konvergjencës së pozicioneve të atyre vendeve me një qasje të shumicës të mbrojtur nga Bashkimi Evropian dhe NATO.

Kjo, siç u tha, mund të arrihet nëse Perëndimi përcakton një qëndrim të përbashkët për Kosovën.

Kjo tezë bazohet në pretendimin se përparimi në Ballkanin Perëndimor varet nga pranimi i Serbisë për vendosjen e një rendi në rajon të bazuar në vlerat perëndimore.

“Në rastin e Serbisë varet nga qëndrimi i shteteve që nuk e kanë njohur Kosovën ndaj kësaj çështjeje. Me pak fjalë, vendet evropiane që nuk e kanë bërë këtë, si dhe ato që e kanë bërë – janë çelësi i stabilitetit rajonal”, thuhet në raport.

Duke shpjeguar rolin dhe rëndësinë e hapjes së rrugës për Kosovën drejt Aleancës Veriatlantike, autorët theksojnë se kjo do të eliminonte avantazhin aktual që Serbia ka ndaj fqinjëve të saj dhe në raport me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në.

“Në vend të kësaj, ekuilibri do t’i lejonte Serbisë dhe Kosovës të negociojnë një zgjidhje të vetme të mosmarrëveshjes që do të kontribuonte në stabilizimin: njohje reciproke të bazuar në një Republikë plotësisht sovrane, unitare dhe funksionale të Kosovës, me mbrojtjen e plotë të komunitetit serb të Kosovës. Përfitimet e një marrëveshjeje të tillë shkojnë përtej Kosovës. Sa më i integruar të jetë veriu i Kosovës i dominuar nga serbët, aq më pak i realizueshëm është ndonjë bashkim i Kosovës dhe Shqipërisë apo ndarja eventuale, gjë që është një pengesë e përhershme për ‘Shqipërinë e Madhe’ dhe ‘Serbinë e Madhe’,” thanë gjashtë autorët.

Kjo, theksojnë ata, do ta bënte Kosovën një barrierë për aspiratat etno-territoriale dhe përmbysjet etno-kombëtare të promovuara nga Moska dhe Pekini, në vend të një fortese të përdorur nga Rusia për të destabilizuar dhe Kina për të zgjeruar ndikimin politik.

Gjithashtu u theksua se pa avantazhet dhe mundësitë e ndjekjes së një politike izolacioniste ndaj Kosovës, kalkulimi strategjik i Serbisë do të ndryshonte.

“Vetoja e Rusisë dhe Kinës ndaj Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të jetë me vlerë të papërfillshme për atë që Serbia e konsideron një sfidë të madhe politike dhe të sigurisë. Regjimi i Vuçiqit nuk do të jetë më në gjendje të zhvillojë një fushatë për të tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës ose ta përdorë Kosovën për të avancuar ideologjinë e ‘botës serbe’, ose për të shmangur përgjegjësinë për sulmin e regjimit ndaj rendit demokratik”, thuhet në tekst.

Autorët arrijnë në përfundimin se, të udhëhequr nga administrata Joe Biden, konvergjenca forcon Brukselin, duke i mundësuar BE-së që më në fund të luajë rolin e saj në përfundimin e dramës jugosllave tre dekadash.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re