Shqipëria është burimi kryesor i kanabisit në vendet e Bashkimit Europian. Kështu shkruhet në raportin e Bordit Ndërkombëtar të Kontrollit të Narkotikëve për vitin 2017.
 
Sipas këtij raporti, e ashtuquajtura “rrugë ballkanike” e trafikimit të drogës, dominon korridorin e trafikimit në Evropën Lindore, pasi grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë ngushtë me grupet kriminale në Greqi, Itali, Kosovë, Mal të Zi, Serbi, Maqedoni dhe Turqi.
 
Sipas raportit, rruga e Ballkanit ka disa degë që ndryshojnë vazhdimisht, por rrjedha kryesore kalon nga Bullgaria, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Sllovenia dhe Austria, ndërkohë që një degë më e vogël përmes Maqedonisë dhe Kosovës përdoret për magazinimin dhe ripaketimin.
 
Në Shqipëri, gjatë vitit 2016 pati një shtim të kultivimit të kanabisit, e lidhur kjo me një zgjerim të trafikut detar si dhe me përpjekje për trafikim përmes rrugëve ajrore. Konfiskimet e kanabisit në këtë vend u rritën me 164 për qind nga viti 2015 në 2016, duke arritur në një total prej 30 ton në vitin 2016, krahasuar me 11.3 ton të konfiskuar në 2015. Gjatë kësaj periudhe, çmimi i kanabisit të papërpunuar u ul, nga 600-1,300 euro për kg në vitin 2015 në 100-400 euro për kg në 2016.
 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re