Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë raportoi këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë, duke e vënë theksin në disa problematika. Gent Ibrahimi u ndal në prapavijën e sistemit të prokurorisë.
Kuptohet që për të mbërritur deri këtu kërkohen një seri parakushtesh dhe përgatitja e këtyre parakushteve deri në një masë ka të bëjë me statusin e prokurorëve.
Nuk mund të ketë sukses në goditjen penale të krimit nëse prokurorët që janë ushtruesit e kësaj goditjeje, nuk janë të pavarur, profesionalë, etikë e kështu me radhë e janë pikërisht këto ato që përbëjnë edhe objektin e punës së Këshillit të lartë të Prokurorisë – tha Ibrahimi në fjalën e tij në raportimin online për Kuvendin.
“Natyrisht ne jemi një organ i ri dhe jemi shumë të interesuar për ta thelluar dhe vijuar më tej marrëdhënien me Kuvendin në një mënyrë që të jetë produktive për të dyja palët, edhe për shoqërinë çka është më e rëndësishme. Ne mendojmë që Kuvendi është i përfaqësuar në një farë mënyre edhe e bashkëqeveris Këshillin e Lartë të Prokurorisë përmes përfaqësueseve të tij, pavarësisht atyre filtrave të shumtë që bëjnë të mundur që ne të jemi të depolitizuar” – deklaroi ai.
Një tjetër pikë që mori vëmendje ishin ndryshimet në ligjin për statusin dhe qeverisjen, të cilat janë diktuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendime këto që japin një lloj pasigurie në punën e këshillave duke qenë se për një farë kohe vendi mbeti pa një listë çështjesh disiplinore sa i takon gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Po t’i shtosh kësaj vështirësie edhe vonesën e krijimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, rezulton se sa i takon njërit prej komponentëve më të rëndësishëm të punës tonë, që është disiplinimi i prokurorëve nuk ka pasur rezultate.
Kreu i KLP tha se është themeluar një sistem, që mund të quhet edhe një sistem i Vetitngut permanent të prokurorëve. “Nëse sot flasim për një Veting të jashtëzakonshëm, që është një veprimtari me afat që do përfundojë dikur, ne ndërkohë kemi marrë masat duke krijuar një formë të Vetingut permanent, i cili verifikon pasurinë dhe integritetin e prokurorëve në çdo fazë të jetës së tyre profesionale.
Diçka tjetër e rëndësishme është edhe fakti që gjatë këtij viti ne kemi punuar edhe për hedhjen e themeleve të asaj që quhet meritokraci në sistemin e prokurorisë”.
Natyrisht ka disa çështje që mbeten ende pezull dhe kërkojnë ndërveprimin e mëtejshëm tonin me Kuvendin, siç janë disa çështje që kanë të bëjnë me statusin e vet anëtarëve të këshillave.
“Ne jemi ende të përjashtuar nga sistemi i pensioneve suplementare, nga i cili përfitojnë të gjithë titullarët e institucioneve të pavarura në Shqipëri. Këtu është fjala për një ligj i cili ende nuk është bërë pavarësisht presionit tonë gjatë gjithë vitit të shkuar. Një çështje tjetër e rëndësishme që ka të bëjë me statusin e prokurorëve, e cila implikohet me ndryshimet e nevojshme në ligjin për statusin, është pikërisht çështja e pagës për prokurorët e Prokurorisë së Posaçme” – tha Ibrahimi.
Ndryshimet e fundit që miratoi Kuvendi në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, kishin si efekt edhe një rritje të rëndësishme të pagës së prokurorëve të SPAK, por si pasojë e dekretit të Presidentit i cili ende nuk është diskutuar nga Kuvendi ka mbetur pezull.
Pra, pritet miratimi i atyre amendamenteve nga Kuvendi në mënyrë që ky i fundit në një farë mënyre “t’i lajë duart” nga detyrimet që ka ndaj Prokurorisë së Posaçme, siç është edhe ngritja e pagave të prokurorëve.
