Raportuesi për Kosovën në Këshill të Evropës, Peter Beyer ka kërkuar nga akterët në vend përgjegjësi politike dhe respektim të sundimit të ligjit. Në një deklaratë të lëshuar për media, Beyer ka deklaruar se mbështesin Kosovën, të drejtat e njeriut e sundimin e ligjit edhe në këtë periudhë sfiduese.

“Populli i Kosovës është goditur fort nga kriza aktuale e koronavirusit, ashtu si shumë vende të tjera të botës. Simpatia ime shkon te ata që janë të prekur drejtpërdrejtë nga kriza, në aspektin shëndetësor, ekonomikisht, si dhe në vendet e goditura më së shumti nga shpërthimi i sëmundjes. Unë mirëpres në këtë drejtim shembujt e fundit të bashkëpunimit ndër-komunitar dhe ndër-kufitar dhe solidaritetin e treguar midis profesionistëve mjekësor dhe zyrtar, pavarësisht përçarjeve politike dhe etnike”, ka deklaruar ai.

Beyer ka folur edhe për krizën politike në vend, pas mocionit të mosbesimit për qeverinë Kurti, derisa ka përmendur edhe pezullimin e dekretit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese deri më datë 29 maj.

“Në këtë gjendje dramatike, është qenësore për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj që të sigurohen kontrollet e pushtetit (balancimi i pushteteve). Kjo vlen veçanërisht për një Kuvend tërësisht funksional dhe sistem të pavarur kushtetues të gjykatave”, ka thënë Beyer.

Ai ka kërkuar nga politikanët në vend dhe gjyqtarët që të veprojnë në interes të qytetarëve dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. “Unë kërkoj nga ata që kanë përgjegjësi politike në Kosovë, e edhe në gjyqësor, që të veprojnë ekskluzivisht në interesin e qytetarëve të tyre dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. I besoj çdokujt në Prishtinë që udhëzohet përmes sundimit të ligjit dhe siguron proporcionalitet në raport me të gjitha masat e nevojshme për përballjen e pandemisë aktuale dhe krizës politike, gjithmonë në pajtim me sigurimin e standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që është pjesë e sistemit ligjor vendor”, ka deklaruar ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re