Një ngjarje mjaft e çuditshme ka ndodhur në 24 orët e fundit në Shqipëri.

Pasi u zbulua se ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi, ka bërë plagjiaturë me një artikull shkencor ku është bashkëautore dhe ka kopjuar nga punimi i profesorit të Universitetit Shtetëror të Michiganit, Eric Chang, opozita shqiptare dhe partitë politike që e përfaqësojnë atë, PD, LSI, PDIU, etj, etj, kanë heshtur.

Pavarësisht se provat ndaj Kushit janë të qarta (mjafton ti shohësh, nuk ka nevojë as ti kuptosh fjalitë nga artikulli shkencor i saj), asnjë eksponent i opozitës nuk ka bërë një deklaratë, apo minimalisht të pyes ministren publikisht për provat e publikuara.

Skandali ka kaluar tërësisht në heshtje.

Edhe vetë zonja Kushi, nuk ka folur lidhur me të, por ditën e djeshme publikoi një fotografi nga koha kur ishte studente në Angli. Por, ndryshe nga sa po pretendohet, për të mbuluar skandalin, askush nuk e ka akuzuar ministren se ka kopjuar doktoraturën në Angli, por ajo ka kopjuar në mënyrën më qesharake të mundshme, një artikull shkencor në vitin 2010, të përdorur në një konferencë në Mal të Zi.

Aq qesharake është ngjarja, sa Kushi ka kopjuar 100% konkluzionin nga puna e profesorit Chang, shifrat e vendeve Aziatike i ka paraqitur sikur janë në Elbasan dhe qytete të tjera të Shqipërisë, madje ka kopjuar edhe titullin e Chang, duke i shtuar vetëm “special case Albania” në fund.

Është rast i rrallë në botë, që ministres së arsimit t’i faktohet plagjiatura dhe opozita të heshtë. Ndoshta ata kanë një problem me personin që e denoncoi fillimisht Kushin, Vladimir Kola, i cili në të shkuarën ka publikuar edhe plagjiaturat e eksponentëve të opozitës.

/TPZ.al/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re